Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për amandamentet që mundësojnë vetingun
Katër ditë pas deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në lidhje me vetingun në drejtësi, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për këtë çështje, duke theksuar se tri amandamente të ketij procesi, nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Haxhiu në një konferencë për media ku ishte folur për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, kishte deklaruar se nuk mund të kalojë një vit për të marrë një vendim nga gjykata për vetingun në drejtësi.
Ndërsa, më 2 mars 2023, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca kishte njoftuar se pas përfundimit të punës së Komisionit Ad Hoc për vetingun në sistemin e drejtësisë, i ka përcjell amendamentet Kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese.
Konjufca kishte thënë se i ka dërguar për të marrë përgjigje nëse të njëjtat janë në përputhje me Kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tri amandamentet me nr.29, 28 dhe 27 nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore, bazuar në kapitullin ll të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Më poshtë janë të paraqitura konstatimet e Kushtetuese në lidhje me këto amandamente, të cilat janë votuar me gjashtë vota pro dhe 2 kundër.
‘’Amendamenti i propozuar kushtetues nr.29, përmes të cilit propozohet kontrolli kalimtar/i përkohshëm i integritetit të “[…]anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe të gjithë kryeprokurorëve, si dhe kandidatëve për këto pozita[…]”, nga Autoriteti për Kontrollin e Integritetit (Autoriteti), nuk pakëson të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’
‘’Amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimet “në mënyrë të vazhdueshme është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme” ose “ka bërë shkelje të rënda disiplinore”, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’
‘’Amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për shkak të “mosrespektimit të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “është vërtetuar se ka pasuri të pajustifikueshme” me vendim gjyqësor përfundimtar, nuk pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’
‘’Amendamentet e propozuara kushtetuese nr.27 dhe nr.28, përmes të cilave propozohet plotësimi i kriterit kushtetues për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të “mosrespektim të rëndë të detyrave”, i përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 104 [Emërimi dhe Shkarkimi i Gjyqtarëve] dhe paragrafin 6 të nenit 109 [Prokurori i Shtetit] të Kushtetutës, me formulimin “ka integritet të cenueshëm”, pakësojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës.’’