Ilustrim
Falsifikimi i parasë, i akuzuari ndërroi adresën dhe nuk u paraqit në seancë
Në Gjykatën e Prizrenit ka dështuar të mbahet seanca ndaj Arlind Hasanit, i cili akuzohet për falsifikim të parasë.
Në seancën e mbajtur më 06.09.2024, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, njoftoi se i akuzuari Arlind Hasani nuk është i pranishëm dhe se gjykata nuk ka prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.
Gjyqtarja bëri të ditur se pala është shpërngulur nga adresa e tij dhe se këtë e deklarojnë të afërmit e palës.
Prokurori i shtetit, Mehdi Sefa, gjatë seancës deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, pasi që i akuzuari nuk është prezent. Prandaj, propozoi që seanca e paraparë për 06.09.2024 të shtyhet dhe të caktohet në një afat tjetër të arsyeshëm.
Pas kësaj gjyqtarja Krusha mori vendim që seanca të mos mbahet. E njëjta u shty të mbahet më datë 20.12.2024.
Aktakuza ndaj të pandehurit Arlind Hasani është ngritur më datë 25.10.2022. Hasani dyshohet se më datë 25.12.2021, në Podujevë, duke e ditur se paraja është e falsifikuar, vuri në qarkullim bankënotën prej 500 eurove.
Në aktakuzë thuhet se si pronar i një marketi në Podujevë, për artikujt e blerë nga një firmë, bëri pagesën me kartëmonedhën në vlerë prej 500 euro. Më tej, në aktakuzë thuhet se pagesën e kishte bërë te punëtori i një firme në Prizren J.K..
Pasi e kishte pranuar kartëmonedhën prej 500 eurove, pronari i firmës A. T., pazarin ditor dhe bankënotën prej 500 eurove e kishte deponuar në drop-boxin e ProCredit Bank në Prizren në fund të dhjetorit të vitit 2021.
Pas ekspertizës së kryer ka rezultuar se kartemonedha në shumë prej 500 eurove në tërësi është falsifikuar, vijon aktakuza.
I pandehuri Arlind Hasani thuhet se me këto veprime ka kryer verën penale, falsifikim i parasë.