EUROSTAT: Popullsia e BE-së është në rënie

Raporti i Eurostat-it për Demografinë e Evropës dokumenton faktorë të ndryshëm që ndikojnë në jetën e dhjetëra miliona njerëzve.

Popullsia e Bashkimit Evropian është zvogëluar me më shumë se gjysmë milioni krahasuar me vitin 2020, sipas statistikave më të fundit demografike të publikuara nga Eurostat, shkruan Euronews.

Raporti zbuloi efektin negativ të viktimave të COVID-19 në popullsinë e BE-së, duke e ndërprerë rritjen vjetore të vërejtur deri në vitin 2020.

Pavarësisht se 17 vende anëtare të BE-së treguan një rritje absolute të popullsisë, shtatë vende e kanë ndjekur trendin e kundërt, duke përfshirë ulje të ndjeshme të numrit të popullësisë në Itali, Poloni, Greqi dhe Kroaci.

Statistikat vjetore demografike, të prodhuara nga statistikat zyrtare të Evropës kanë si qëllim të shikojnë se si po zhvillohet popullsia në rajon sipas një numri metrikash kryesore.

Popullsia e BE-së në rënie

Më 1 janar 2022, popullsia e BE-së ishte 446.7 milionë – një rënie e lehtë krahasuar me të njëjtën ditë të vitit 2021.

Edhe pse popullsia në përgjithësi është rritur me 4% krahasuar me vitin 2001, popullsiaka shënuar rënie për të dytin vit radhazi.

Ka pasur 585,000 njerëz më pak në janar të vitit 2022 krahasuar me ditën e parë të vitit 2020 në Bashkimin Evropian.

Popullsia e BE-së ka vazhduar të shënojë rritje çdo vit deri në janar të vitit 2020 dhe më pas filloi ta ndiqte trendin negativ, i cili i atribuohet viktimave të shkaktuara nga pandemia COVID-19.

BE po plaket me shpejtësi

Shifrat e fundit tregojnë se mbi një e pesta e banorëve të BE-së tani janë 65 vjeç ose më shumë.

Me qasje në objekte më të mira të kujdesit shëndetësor, pjesa e banorëve në moshë 80 vjeç e lart pothuajse u dyfishua në vitin 2022 krahasuar me vitin 2002.

Nga ana tjetër, është vërejtur gjithashtu një rënie në popullsinë nën moshën 20 vjeç, duke kontribuar në shifrat e përgjithshme të plakjes.

Kjo do të thotë një rritje në moshën mesatare të njerëzve që banojnë në BE.

Mosha mesatare në BE në vitin 2022 ishte 44.4 vjeç, një rritje prej gati gjashtë vjetësh krahasuar me shifrat e 20 viteve më parë.

Ndërkohë që Italia kishte moshën mesatare më të lartë midis vendeve anëtare me 48 vjeç, Qiproja qëndronte në fund me 38.3 vjet.

Gratë e kanë jetëgjatësinë më të madhe në BE

Bazuar në shifrat e fundit të jetëgjatësisë, gratë në BE jetojnë më gjatë se burrat në BE.

Megjithëse jetëgjatësia e përgjithshme ka rënë me 1.2 vjet midis viteve 2019 dhe 2021, shifrat tregojnë se gratë jetojnë 5.7 vjet më shumë se burrat.

Jetëgjatësia në lindje për gratë ishte 82.9 për gratë në vitin 2021 krahasuar me 77.2 për burrat. Të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë ndjekur të njëjtin trend.

Jetëgjatësia mesatare e përgjithshme është rritur nga 77.6 vjet në vitin 2002 në 80.1 në vitin 2021 me faktorë, të tillë si reduktimi i vdekshmërisë foshnjore, rritja e standardeve të jetesës, përmirësimi i stilit të jetesës, arsimimi më i mirë dhe progresi në kujdesin shëndetësor dhe mjekësinë përmes të cilave mund të vonohen vdekjet e parakohshme./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala