Migrantët në Greqi. Fotografi nga arkivi. /REL

Eurostat: Popullsia e BE-së shënoi rritje në vitin 2022 për shkak të migrimit 

Popullsia e Bashkimit Evropian ka shënuar rritje në vitin 2022 për herë të parë në tri vjet, sipas të dhënave të reja të publikuara të martën nga zyra e statistikave të BE-së, Eurostat.

Edhe pse në vitin 2022 u regjistruan më shumë vdekje sesa lindje, shtimi i migrimit në BE e rriti numrin e popullsisë, tregojnë të dhënat. 

Në BE jetonin 448.4 milionë njerëz më 1 janar 2023, nga 446.7 milionë një vit më parë. Popullsia kishte shënuar rënie më parë në vitet 2020 dhe 2021 për shkak të pandemisë COVID-19.

Sipas Eurostat, rritja e popullsisë në vitin 2022 mund t’i atribuohet migrimit të shtuar pas pandemisë dhe fluksit të personave të zhvendosur nga Ukraina që kërkojnë status të përkohshëm mbrojtjeje në të gjithë BE-në pas pushtimit të Rusisë në shkurt 2022.

Rreth 4 milionë njerëz nga Ukraina kanë kërkuar strehim të përkohshëm në BE që nga marsi i vitit 2023.

Disa vende anëtare të BE-së së fundmi kanë ngritur shqetësime për uljen e nivelit të lindjeve dhe kanë propozuar masa për ta trajtuar këtë situatë. Shkalla e lindshmërisë ka shënuar rënie në 11 nga 27 vendet anëtare të BE-së midis viteve 2001 dhe 2021.

Shumë shtete anëtare kanë gjithashtu popullsi të plakur për shkak të jetëgjatësisë më të lartë.

Sipas Eurostat, popullsia është rritur në 20 vende të BE-së ndërsa është zvogëluar në shtatë sosh. Italia raportoi rënien më të madhe (-179,419 persona) ndërsa Gjermania regjistroi rritjen më të madhe (1.12 milionë)./Euronews