barrikada

Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë, Foto: KALLXO.com

EULEX: Autoritetet kosovare kërkuan lehtësimin e transferimit të Dejan Pantiqit

Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX, e ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë pranuar kërkesë nga autoritetet kosovare për lehtësim të transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq, në ndonjë qendër të paraburgimit.

“Ju konfirmojmë se EULEX ka pranuar një kërkesë nga autoritetet e Kosovës për transferimin e D.P.”- thuhet në përgjigjen e EULEX për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime për këtë kërkesë nga Ministria e Punëve të Brendshme por deri në publikim të këtij artikulli të njëjtit nuk kanë ofruar përgjigje.

Dejan Pantiq është në masën e paraburgimit dhe të njëjtën është duke u mbajtur në hapësirat e Policisë së Kosovës, të cilat gjenden në pikën kufitare në Jarinjë.

Në afërsi të pikës kufitare Jarinjë gjenden edhe kontenjerët e Policisë, pra vija e gjelbër në të cilën janë të vendosur Njësia Speciale Kufitare.

Pantiq u arrestua pasditen e 10 dhjetorit nën dyshimet për kryerjen e veprave penale terroriste dhe asaj kundër rendit kushtetues.

Në shenjë rezistence ndaj arrestimit të Pantiq, më 10 dhjetor në veri të Kosovës u lëshua edhe alarmi i cili dha shenjën se rrugët në komunat me shumicë serbe të bllokohen në mënyrë që të mos lejohet asnjë lloj qarkullimi.

Deri më tani janë më shumë se gjashtë barrikada të vendosura në veri të vendit ndërsa sipas Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, veprimet e tilla janë kryer nga grupe kriminale.

KALLXO.com ka biseduar me avokatin e Pantiqit, Srgjan Mitroviq, i cili tha se nuk kanë bërë kërkesë në Gjykatë për të vizituar klientin e tij.

Mitroviq ka thënë se kanë bërë një kërkesë te EULEX-i por që nga ta ka marrë përgjigje se nuk mund të realizohet një gjë e tillë.

“Ne kemi bërë përpjekje një gjë të tillë ta bëjmë përmes EULEX-it sepse kemi konsideruar që është më së miri të veprohet kështu. Pastaj me gruan dhe djalin e tij kemi shkuar në polici të EULEX në Mitrovicë, ata më kanë thënë se do të pyesin në Qendrën Kryesore në Prishtinë. Ata më kanë thënë që do të ju njoftojmë, s’kemi marrë ndonjë informacion deri dikur në orët e pasdites më ka kontaktuar një polic dhe më ka thënë që nuk kanë mundësi të realizojnë një gjë të tillë” – tha Mitroviq për KALLXO.com.

Tutje ai pranoi se një kërkesë zyrtare nuk është bërë në Gjykatë për të vizituar Pantiqin.

“Jo, në gjykatë nuk kemi adresuar kërkesë për vizitë, kemi adresuar vetëm kërkesën rreth dorëzimit/dhënies së barnave për të” – shtoi tutje Mitroviq, avokati i Dejan Pantiqit.

EULEX-i në disa përgjigje për KALLXO.com ka dhënë shpjegime në lidhje me kërkesën e familjes së Dejan Pantiq.

“Misioni i EULEX-it është në dijeni për kërkesën e familjes për ta vizituar D.P.,, megjithatë misioni nuk është në gjendje të lehtësojë vizitën nga familja, për më shumë informacione kontaktoni autoritetet e Kosovës”- ka thënë EULEX për KALLXO.com.

Tutje ata kanë konfirmuar se janë në vazhdimësi duke monitoruar rastin e Dejan Pantiq, dhe janë në kontakt me Policinë e Kosovës, Prokurorinë Speciale, Departamentin Special të Gjykatës si dhe me Avokatin e Popullit.

EULEX gjithashtu ka konfirmuar se të njëjtit nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë të familjes së Dejan Pantiq në Gjykatë.