Escobar në Pejë: SHBA-të dëshirojnë që serbët në Kosovë të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, ka thënë se qeveria amerikane dëshiron që serbët në Kosovë të jetojnë të sigurt dhe dinjitetshëm.

Për këtë, ai ka thënë se do ta mbajnë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës.

“Sa i përket komunitetit që jeton këtu, dua që komuniteti të ndiejë dhe të dijë se qeveria amerikane dëshiron që serbët të jetojnë në Kosovë në kushte sigurie dhe dinjiteti. Dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë. E sa i përket Qeverisë së Kosovës, ata kanë përgjegjësinë për ta bërë atë dhe ne do t’i mbajmë përgjegjës”- është shprehur Escobar për Radio Gorozhdecin gjatë vizitës së tij në Pejë më 14.03.2024.

Ai ka thënë se ka shkuar në këtë qytet për të parë nga afër se sa ndikohet komuniteti serb nga vendimi i BQK-së për dinarin.

Me këtë rast, Escobar është zotuar se do të punoj me Qeverinë e Kosovës për të gjetur një zgjidhje urgjente.

“Është e vështirë t’i dëgjosh këto histori dhe të qëndrosh indiferent. Këtu ka një komunitet që po vuan vërtet. Ka njerëz që përballen me probleme reale për shkak të mungesës së mundësive për të marrë pensione. Kështu që unë me të vërtetë dua të punoj me Qeverinë e Kosovës me shpresën për të gjetur një zgjidhje urgjente. Ndërkohë, në një afat më të gjatë, ne ende duhet të punojmë shumë për të zbatuar marrëveshjen historike të normalizimit që e arritëm marsin e kaluar”- ka thënë ai.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të pres në takim të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë, për të diskutuar mbi çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Emisari amerikan Gabriel Escobar sot takohet me kryeministrin Albin Kurti