‘Ëndrrat e Hamletit’ përfaqësoi Kosovë në ‘Moldfest’ të Moldavisë

Shfaqja “Ëndrrat e Hamletit” me tekst të Nina Mazur, me regji dhe interpretim të Mentor Zymberajt, ka përfaqësuar Kosovën në  Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit “Moldfest” në Kishinau të Moldavisë.

Festivali “Moldfest” është mbajtur nga 11 deri me 17 nëntor 2019 në kryeqytetin moldav.

Aktori dhe producenti Mentor Zymberaj ka thënë për Kallxo.com se pjesëmarrja në këtë festival ka një rëndësi të veçantë dhe janë dhënë vlerësime nga juria e festivalit për ekipin e shfaqjes.

“Kjo shfaqje prezantoi Kosovën si shtet dhe për herë të parë flitet në skenë shqipe si edhe shumë festivale tjetra. Shfaqja është lauruar nga Festivali dhe kritika e vlerësoi me nivelin më të lartë teatror”, ka thënë Zymberaj.

“Ëndrrat e Hamletit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës.