Emërimi i radhës i Ramës, vendos në krye të Drejtorisë së Sportit Bardh Krasniqin

Bardh Krasniqi është emëruar drejtor i Sportit në Komunën e Prishtinës. Krasniqi ka qenë ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së. Më 2022 Bardh Krasniqi ishte zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.

“Ai do të punojë në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive në  kryeqytet, për të mundësuar zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme e të shumta këtë vit në Prishtinën tonë, e shpallur ‘Qytet i Sportit'”- ka shkruar Rama më 22.02.2024, ka njoftuar, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama përmes një postimi në Facebook.

Sipas kryetarit, ish-basketbollisti Krasniqi “do të angazhohet për realizimin e projekteve për ta bërë kryeqytetin gati për “Lojërat Mesdhetare 2030”, gjë që jemi të bindur se do të triumfojë falë sukseseve akademike në Stamboll, dhe profesionalizmit të tij të treguar ndër vite në themelimin, menaxhimin e shumë kompanive dhe projekteve në fushën e telekomunikimit brenda dhe jashtë vendit.”

Ndryshe, në krye të kësaj drejtorie ka qenë Granit Rugova të cilin Rama e falënderoi për bashkëpunim.

Bardh Krasniqi, ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, ishte zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”, ka raportuar KALLXO.com më 01.11.2022.

Aksionar i kësaj ndërmarrje publike është Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së. Krasniqi aktualisht është pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Sport Marketing” nuk është ndërmarrja e vetme që po udhëhiqet nga njerëzit që kanë të kaluar të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në krye të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” dhe “Termokos” janë emëruar persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

KALLXO.com tutje raportoi se zgjedhja e Bardh Krasniqit në krye të “Sport Marketing” ishte bërë në kundërshtim më praktikën e instaluar nga bordi i Koroporatës Energjetike të Kosovës me rastin e eliminimit të Blerand Stavilecit nga gara për kryeshef të kësaj kompanie për shkak të së kaluarës së tij.