Bardh Krasniqi dhe Përparim Rama

Ish-këshilltari i Perparim Ramës zgjidhet kryeshef i ndërmarrjes ‘Sport Marketing’

Bardh Krasniqi, ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.

Aksionar i kësaj ndërmarrje publike është Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së.

Krasniqi aktualisht është pjesë e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës. 

“Sport Marketing” nuk është ndërmarrja e vetme që po udhëhiqet nga njerëzit që kanë të kaluar të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në krye të ndërmarrjes publike “Prishtina Parking” dhe “Termokos” janë emëruar persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës. 

Bardh Krasniqi është zgjedhur përmes konkursit, ndërsa rezultatet e publikuara më 27 tetor 2022 nga bordi i kësaj ndërmarrje thuhet se i njëjti ka marrë 37 pikë duke u renditur i pari.

Krasniqi e ka konfirmuar për KALLXO.com se vazhdon të jetë pjesë e strukturave të LDK-së.

“Po kam qenë këshilltar në fillim, nuk e di përmendsh deri kur kam qenë, nashta i ka 2-3 muaj. Kriteret që i ka përcaktu ndërmarrja publike, unë i kam plotësu. Po, jam edhe në Këshillin e LDK-së”- thotë ai.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një përgjigje edhe nga kryetari Përparim Rama, por i njëjti deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Një asamblist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fisnik Osmani është emëruar kryeshef në ndërmarrjen publike lokale “Termokos”.

Ndërsa, në krye të ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” është zgjedhur Sokol Havolli, ish-këshilltar politik i ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe së fundmi zv/guvernator i Republikës së Kosovës.

Interpretimi ligjor 

Sipas një interpretimi të bërë nga Zyra e Kryeministrit me rastin e Blerand Stavilecit, Ligji për ndërmarrjet Publike thotë se edhe kryeshefi i një ndërmarrje Publike duhet të jetë politikisht i pavarur, pra në 36 muajt e fundit nuk duhet të jetë pjesë e politikës.

Bardh Krasniqi thotë për KALLXO.com se nuk ka pranuar ndonjë interpretim ligjor që ia ndalon atij të kandidojë dhe mbajë pozitën e kryeshefit në ndërmarrje publike.

“Nuk jam fort ekspert i ligjit. Ndërmarrja publike e ka një bord të drejtorëve, një zyre ligjore, është dashur po besoj ata me bë atë farë analize”- tha Bardh Krasniqi për KALLXO.com

Zgjedhja e Bardh Krasniqit në krye të “Sport Marketing” është bërë në kundërshtim më praktikën e instaluar nga bordi i Koroporatës Energjetike të Kosovës me rastin e eliminimit të Blerand Stavilecit nga gara për kryeshef të kësaj kompanie për shkak të së kaluarës së tij.

Aso kohe ishte kërkuar një interpretim i ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria për Zhvillim Ekonomik pati nxjerrë një interpretim nëse në krye të ndërmarrjeve lejohen të zgjidhen personat me të kaluar politike.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Zyrës së Kryeministrit kishte thënë se kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.

Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjidhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrjeje publike.

“Në përmbledhje dhe në bazë të dispozitave të legjiscalionit në fuqi për ndërrmarje publike, konsiderojmë se bordi i drejtorëve të KEK-ut, me rastin e përzgjedhejs së kryeshefit ekzkeutiv, duhet të veprojë bazuar në neni 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili ekzluzivisht ka të bëjë më zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të NP-së i cili sqaron se personi që është ose në çfarëdo kohe, gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartësi i një posti udhëheqës ose vendimarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshef ekzekutiv i ndërmarjes publike”- thuhet në interpretimin e MZHE-së të lëshuar përmes Zyrës së Kryeministrit.

Tutje janë dhënë sqarime për personat që nuk mund të zgjedhen zyrtar të lartë në një ndërmarrje publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”- potencohet në opinionin ligjor.

Sipas këtij opinioni, përkufizimi i termit “i emëruar politik” nënkupton personin i cili është emëruar ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur.

Në rastin e Bardh Krasniqit për kryeshef të “Sport Marketing”, BDO nuk ka marrë pjesë në procesin e intervistimit. Këtë e konfirmoi vetë Bardh Krasniqi për KALLXO.com.