Konfirmohet pjesëmarrja e Ismail Kadaresë në Panairin e Libri në Prishtinë

Shkrimtari Ismail Kadare do të jetë prezent në Panairin e Librit në Prishtinë, i cili mbahet nga 6 deri më 11 qershor 2023 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Shkrimtari i njohur do të jetë i ftuari i nderit në panairin e librit “Prishtina 2023”.

Pjesëmarrjen e Kadaresë në panair e ka konfirmuar për KALLXO.com kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli.

Po, Kadareja do të vijë panair. Në fakt kryefjala e panairit është botimi i kompletit të veprës së tij; 70 vjet krijimtari letrare, në 7 vëllime” – tha Zeneli.

Pjesëmarrjen e Kadaresë në panairin e librit që mbahet javën e ardhshme e ka paralajmëruara dhe botuesi i veprave të këtij shkrimtari, Bujar Hudhri, përmes një postimi në Facebook.

“Me Besian Zenelin dhe Edon Zenelin, djemtë e shkrimtarit dhe botuesit të njohur, Abdulla Zeneli. Biseduam me ta, si përfaqësuas të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, për detajet e fundit për ceremoninë e hapjes së Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë, ku shkrimtari ynë i shquar do të jetë i ftuar nderi”- ka shkruar Hudhri në Facebook.

Me moton “Libri triumfon”, edicioni i 23-të i Panairit të Librit “Prishtina 2023” do të hapet të hënën më 6 qershor në ora 12:00 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Organizatorët kanë bërë të ditur se në panair pritet të marrin pjesë mbi 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e më tej, ndërsa do të prezantohen mbi 2,000 botime të reja.

Gjithashtu do të shënohen edhe disa përvjetorë të krijuesve të njohur shqiptar dhe të huaj.

Panairi i Librit në Prishtinë organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.