Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com

Ekstradohen nga 3 vende evropiane tre qytetarë të Kosovës, të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), ka realizuar tri ekstradime gjatë periudhës së fundit.

Sipas njoftimit, personi me iniciale L.C. i kërkuar për veprën penale – mashtrim, është arrestuar nga autoritetet gjermane dhe është ekstraduar në Kosovë më 30 qershor.

I njëjti ka qenë i kërkuar nga Gjykata e Ferizajt dhe ajo e Prishtinës.

Ndërsa, personi me iniciale B.L. ka qenë i kërkuar nga Gjykata e Pejës për veprat penale – fajde dhe detyrim.

Ai është ekstraduar nga Hungaria në Kosovë.

“Pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit policor reciprok, personi është arrestuar nga autoritetet policore hungareze dhe i njëjti është ekstraduar nga Hungaria për në Kosovë me datën 12.07.2023”- ka njoftuar Policia.

Ndërsa, një person është ekstraduar nga Finlanda në Kosovë më 14 korrik 2023.

Sipas Policisë, D.F. ka qenë i kërkuar nga Gjykata e Mitrovicës dhe ai ka qenë i dënuar me tri vite burgim për veprën penale – trafikimi me narkotik.

“Pas shkëmbimit të informacioneve dhe bashkëpunimit policor reciprok i njëjti është arrestuar nga autoritet policore finlandeze”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje theksohet se Policia e Kosovës në kuadër të Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), ka avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve tjera, dhe angazhimet e tilla me sjelljen para drejtësisë së personave të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar.