Ekipi i FSK-së udhëton drejt Gazës për inspektim të zonës ku do të operojnë trupat e saj
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka dërguar një ekip në Gaza për të realizuar rikonicionin e zonës ku pritet të operojë kontingjenti i saj.
Sipas një njoftimi të Forca e Sigurisë së Kosovës, vendimi është marrë nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, i cili ka autorizuar ekipin për të kryer vlerësimet paraprake dhe përgatitjet për dislokimin e trupave.
Gjatë qëndrimit në terren, ekipi i FSK-së do të merret me vlerësimin e situatës dhe koordinimin e aktiviteteve që lidhen me vendosjen e kontingjentit, i cili do të operojë në kuadër të misionit të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF).
Po ashtu, delegacioni ka zhvilluar takime me autoritetet përkatëse që merren me administrimin e Gazës, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), që vepron nën mbikëqyrjen e strukturave ndërkombëtare në përputhje me rezolutat e OKB-së.
Në këto takime është diskutuar për integrimin e kontingjentit të FSK-së, zhvillimin e operacioneve të përbashkëta dhe koordinimin e mbështetjes logjistike.
FSK thekson se mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke synuar forcimin e partneriteteve strategjike dhe promovimin e sigurisë kolektive.