Edhe sot protestohet në Graçanicë, Policia njofton për bllokim të rrugës

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë paralajmëruar për një protestë që do të mbahet sot në Graçanicë.

Me qëllim të mbarëvajtjes së kësaj proteste, Policia ka thënë se duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, rruga kryesore në Graçanicë do të jetë e bllokuar deri në përfundim të protestës.

Policia do të ridrejtojë trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas.

Tutje është thënë se për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojnë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjas protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Edhe gjatë javës së kaluar janë mbajtur protesta në Graçanicë, qytetarët kanë kundërshtuar arrestimin e Dragisha Millenkoviq, i cili është arrestuar nën dyshimin se ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Millenkoviq është sjellë më 22 qershor 2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia në njoftimin për arrestim të Millenkoviq ka thënë se janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Millenkoviq gjatë kohës së luftës sipas Policisë ka shërbyer si gardian i burgut në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina, konkretisht në burgun e Lipjanit.

Dhuna që ai dyshohet se ka ushtruar ndaj të burgosurve shqiptarë, sipas Policisë, ka qenë në mënyrë sistematike.

Pas arrestimit të tij, zyrtarët policorë kanë kryer edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit.

Në cilësinë e provave materiale është thënë se janë sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shufër metalike, dokumente, vendime, shënime dhe një telefon personal dhe gjëra të tjera të cilat do të përdoren gjatë trajtimit të rastit.