Ilustrim

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, policia konfiskon armë e fishekë në shtëpinë e tij

D.M, me nacionalitet serb është arrestuar gjatë ditës së sotme nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës me vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte në Kosovë mes viteve 1998-99.

Policia ka njoftuar sot se ka zhvilluar hetime lidhur me krimet e kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë (1998- 1999), ku përmes rrugëve hetimore-operative ka pranuar informacion për të dyshuarin mashkull kosovar serb me iniciale (D. M.) si pjesëmarrës në këto krime.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Arrestimi i të dyshuarit është bërë sot në orët e paraditës në Graçanicë.

Zyrtarët kompetentë nën autoritetin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake-Departamenti Special, kanë zbatuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shumë metalike, dokumente, vendime, shënime dhe një telefon personal dhe gjëra të tjera të cilat do të përdoren gjatë trajtimit të rastit.

Në konsultim me prokurorin kompetent ngaa Prokuroria Speciale i dyshuari i lartcekur është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës të siguruar nga familja, nën dyshimin se i njëjti është përfshirë në veprën penale ‘krime lufte kundër popullsisë civile’.

Mbi 13.000 civilë janë vrarë në luftën e fundit në Kosovë.

Të pagjetur, edhe sot e kësaj dite, mbeten mbi 1.600 persona – shumica prej të cilëve shqiptarë.