Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

E shkeli në bark, e goditi me boksa në kokë dhe e dogji me cigare gruan me të cilën bashkëjetonte, gjykata e dënon të pandehurin

Gjykata e Prishtinë e ka dënuar me 5 vjet burg ndaj një personi për lëndim të rëndë trupor në qershor të vitit 2021 ndaj gruas me të cilën bashkëjetonte.

Në vendimin e gjykatës të datës 2 mars 2023 bëhet e ditur se i pandehuri F.N, nga muaji prill, maj, qershor 2021 ndaj të dëmtuarës me të cilën bashkëjetonte – A.J, ka ushtruar dhunë fizike, duke e goditur me shuplaka, boksa kokës, duke shkelur në bark me këmbë dhe në shpinë, e ka gërvishtur me çelësat e shtëpisë në shpinë dhe duar, e ka djegur me cigare në faqen e djathtë, si dhe ka ushtruar dhunë psikologjike, duke i thënë se: “kam me ta therë vëllain me thikë dhe motrën kam me ta dhunu dhe ka me iu shitë organet”- thuhet në vendimin e gjykatës.

Tutje, sipas vendimit, më 1 korrik 2021, në P…, i pandehuri F.N, me dashje që t’i shkaktojë lëndime të rënda trupore të dëmtuarës A.J, ka marrë këmbën e tavolinës dhe e ka goditur të dëmtuarën në kokë në anën e djathtë dhe me këtë ja ka thyer kockën e harkut mollëzor të anës së djathtë të fytyrës me zhvendosje kockore, thyerje e kockës se hundës, me ç’ rast të dëmtuarës i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, sipas akt-ekspertimit mjeko –ligjor të 8 korrikurt të vitit 2021.

Sipas gjykatës, të pandehurit, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 7 korriku i vitit 2021 e më tutje por jo më gjatë se sa dënimi i shqiptuar.

Kurse, Gjykata e ka liruar nga akuza për ‘Dhunim’ të pandehurin pasi nuk u provua se kishte kryer këtë vepër.