E detyroi për punë, e kanosi dhe e maltretoi fizikisht një grua - Kërkohet paraburgim për të dyshuarin

Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë së Gjakovës,  ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale A.P për veprën penale “Trafikim me qenie njerëzore”.

Sipas njoftimit, i njëjtë dyshohet se e detyroi për punë, e kanosi e matretoi fizikisht dhe psiqikisht një grua.

Prokuroria ka filluar hetimet dhe ka paraqitur kërkesë për masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri A.P., merr pjesë në trafikimin me njerëz me anë të kanosjes, përdorimit të forcës, mënyrës së përfitimit përmes punës së detyruar dhe veprime të tjera të dhunshme, kontrolluese të përcjella me maltretimin fizik dhe psikik me qëllim shfrytëzimi  për përfitim ndaj të dëmtuarës A.V.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, të enjten kishte njoftuar se nga i dyshuari janë sekuestruar katër telefona dhe një video regjistrues.

Rasti ka ndodhur në Gjakovë në vitet 2023-2024.

Policia tha se lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull  si dhe është identifikuar  viktima e trafikimit ku e njëjta është trajtuar sipas procedurave.

“Nga i dyshuari janë sekuestruar katër telefona dhe një video regjistrues. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhej në raport.