Dyshohet se falsifikuan dokumentet për të fituar tenderin mbi 1 milion euro, të akuzuarit nuk e pranojnë fajësinë

Tre biznesmenë po akuzohen për keqpërdorim dhe mashtrim me tenderin për ndriçim publik në vlerë 1.3 milion euro në Komunën e Prizrenit.

Sipas prokurorisë, Pupa, Skeja dhe Syla akuzohen se përfituan kundërligjshëm kontratën në tenderin “Instalimi i ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.

Pas leximit të aktakuzës nga përfaqësuesja e prokurorisë, Merita Kurteshi-Gaka, të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë.

Paraprakisht në këtë gjykim, prokurorja Kurteshi-Gaka ka theksuar se kompania “Cons Eng” duhet ta ketë personin e autorizuar dhe jo personin përgjegjës, i cili është prezent në seancë.

Prokurorja tutje shtoi se në këtë rast kompania duhet të përfaqësohet nga përfaqësuesi i autorizuar.

Në anën tjetër, Naim Rudari, mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Syla, konsideroi se i mbrojturi i tij është personi i vetëm i punësuar dhe e përfaqëson kompaninë në çfarëdo rrethane.

Këtë mendim e përkrahën edhe avokatët Arianit Koci dhe Naim Rudari, të cilët kërkuan që gjykata të vazhdojë me mbajtjen e seancës.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktua më 20 shtator të këtij viti.

Sipas prokurorisë, biznesmenët Gent Pupa, Shahin Skeja dhe Bekim Syla akuzohen për përfitimin e një kontrate publike nga Komuna e Prizrenit përmes falsifikimit të dokumenteve.

Gent Pupa dhe Shahin Skeja, pronarë të kompanisë private “NABS” Sh.P.K. dhe Bekim Syla, pronar i kompanisë “Cons ENG”, dyshohet se përfituan jashtëligjshëm kontratën që peshonte 1.3 milion euro.

Sipas aktakuzës me dokumente fiktive, “NABS” Sh.P.K, e ndihmuar nga “Cons ENG”, dyshohet se përfitoi kontratën për “Instalimin e ndriçimit publik dhe riparimi i ndriçimit publik ekzistues në Komunën e Prizrenit”.

Në aktakuzë thuhet se me 26 qershor të vitit 2020, të pandehurit me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender prezantojnë faturën fiktive të datës 1 maj 2020, kinse kanë në pronësi “Semaforë mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë”.

Tutje dosja thotë se të akuzuarit po ashtu prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 punëtorë të punësuar, me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22 shkurt 2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës shumën prej 1,394,853 euro.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, “NABS” SH.P.K akuzohet se më 26 qershor të vitit 2020, përmes personave përgjegjës – pronarëve, Gent Pupa dhe Shahin Skeja, përdorën dokumentet e falsifikuara si origjinale.

Ata thuhet se kanë lëshuar faturën me përmbajtje të rreme, me përshkrim: “1.shenja standarde të trafikut, 2. Karrocë sinjalizuese për devijim të qarkullimit, 3. semafor mobil për menagjimin e trafikut në rast të bllokimit të një shiriti qarkullues Ecoquartz” kinse ky subjekt ia ka shitur të pandehurit “NABS” sh.p.k këto pajisje”.

Me këto veprime të akuzuarit sipas prokurorisë ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” si dhe“Falsifikimi i dokumenteve”.

Shënim: Më 21.09.2022, në ora 13:21, artikulli është përditësuar me të dhëna shtesë.