Foto: KALLXO.com

Gjykimi i biznesmenëve për tenderin e Komunës së Prizrenit në vlerë 1.3 milion euro, avokatët kërkojnë hedhjen e aktakuzës

Gent Pupa, Shahin Skeja dhe Bekim Syla janë ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me akuzat e Prokurorisë së Prizrenit.

Ata po akuzohen për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik si dhe për falsifikim të dokumenteve.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit si persona juridikë dhe përgjegjës të bizneseve “NABS” Sh.P.K. dhe “Cons ENG” me dokumente të falsifikuara kanë fituar kontratë e cila peshonte 1.3 milion euro.

Mbrojtësit e të akuzuarve në seancën e sotme, ku ishte paraparë që të paraqitej kundërshtimi i aktakuzës dhe provave, kanë deklaruar se aktakuza është e paargumentuar.

Arianit Koci, avokat i të akuzuarit Gent Pupa, ka kërkuar hedhjen e aktakuzës si të pabazuar.

“Prej një biznesmeni të ndershëm, i cili nuk ka pasur një problem më të vogël, brenda natës janë bastisur e janë arrestuar pa filluar ende zbatimi i kontratës për të cilën jemi këtu. E kjo vetëm se dikush ka pasur interesa me futë kompaninë e vet dhe t’i realizojë interesat e veta” – tha Koci.

Avokati Koci mes tjerash ka sqaruar se dëmi i paraqitur në aktakuzë në vlerë 1.3 milion euro nuk qëndron.

“Dëmi i paraqitur në akuzë në vlerën 1.3 milion euro nuk qëndron sepse deri më tani këta e kanë realizuar në vlerë 500 mijë euro. E nëse Komuna i ka marrë 500 mijë euro shërbim dhe mall si mund të pretendohet se dëmi është mbi 1.3 milion euro?” – ka deklaruar avokati.

Kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe provave kanë parashtruar edhe Arbër Guta dhe Naim Rudari mbrojtës të të akuzuarve Shahin Skeja dhe Bekim Syla, të cilët konsideruan se me veprimet e të akuzuarve nuk janë përmbushur elementet e veprës penale.

“Konsideroj se në rastin konkret nuk ka asnjë element të veprave penale të cilat i vihen në barrë të mbrojturit tim, andaj për të shmangur dhe evidentuar pengesat kërkoj nga Gjykata që ta shqyrtojë edhe një herë kërkesën për hedhje të akuzës dhe kundërshtim të provave” – tha mes tjerash avokati Naim Rudari.

Të njëjtët përfunduan deklarimin duke kërkuar hedhjen e aktakuzës dhe provave si në shkresat e paraqitura.

Lidhur me këto kundërshtime ka reaguar përfaqësuesja e Prokurorisë, Merita Kurtishi-Gaga, e cila ka thënë se në bazë të provave dhe fakteve do të vërtetohet përgjegjësia penale e të akuzuarve.

“Kërkoj që të kalohet në shqyrtim gjyqësor, dhe pas administrimit të provave si në akuzë do të vërtetohet manifestimi i të akuzuarve në drejtim të kryerjes së veprave penale si në dispozitiv” – deklaroi prokurorja Kurtishi-Gaga.

E njëjta kërkoi që Gjykata të akuzuarve dhe mbrojtësve t’ua refuzojë kërkesat për hedhje të akuzës dhe provave.

Ndaj kundërshtimeve të bëra pritet të vendoset ditëve në vijim.

Sipas Prokurorisë, Gent Pupa, Shahin Skeja dhe Bekim Syla akuzohen për përfitimin e një kontrate publike nga Komuna e Prizrenit përmes falsifikimit të dokumenteve.

Gent Pupa dhe Shahin Skeja, pronarë të kompanisë private “NABS” Sh.P.K., dhe Bekim Syla, pronar i kompanisë “Cons ENG”, dyshohet se përfituan jashtëligjshëm kontratën që peshonte 1.3 milion euro.

Sipas Prokurorisë, më 26 qershor të vitit 2020, të pandehurit me qëllim të plotësimit të kushteve për pjesëmarrje në tender prezantojnë faturën fiktive të datës 1 maj 2020, kinse kanë në pronësi “Semaforë mobil për menaxhimin e trafikut në rrugë”.

Tutje dosja thotë se të akuzuarit po ashtu prezantojnë listën fiktive të punëtorëve kinse i kanë 10 punëtorë të punësuar, me të cilin veprim arrijnë të bindin autoritetin kontraktues dhe përfitojnë lidhjen e kontratës të datës 22 shkurt 2021, me ç’rast përfitojnë në vlerë të kontratës shumën prej 1,394,853 euro.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, “NABS” SH.P.K. akuzohet se më 26 qershor të vitit 2020, përmes personave përgjegjës – pronarëve, Gent Pupa dhe Shahin Skeja, përdorën dokumentet e falsifikuara si origjinale.

Ata thuhet se kanë lëshuar faturën me përmbajtje të rreme, me përshkrim: “1.shenja standarde të trafikut, 2. Karrocë sinjalizuese për devijim të qarkullimit, 3. semafor mobil për menagjimin e trafikut në rast të bllokimit të një shiriti qarkullues Ecoquartz” kinse ky subjekt ia ka shitur të pandehurit “NABS” Sh.P.K. këto pajisje”.

Me këto veprime të akuzuarit sipas Prokurorisë ngarkohen se kanë kryer veprën penale – keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, si dhe – falsifikim i dokumenteve.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.