Ndalohen një avokat dhe një e dyshuar tjetër për falsifikim dokumentesh

Sot gjatë ditës Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës kanë ndaluar dy persona të dyshuar, M.T. dhe I.L., pasi dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrim”, ndërsa kjo e fundit dyshohet edhe për kryerje të veprën “Falsifikimi i dokumenteve”.

Njëri nga të arrestuarit, M.T., është thënë nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë se është avokat.

“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar personat me inicialet I.L., dhe M.T., (avokat), për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi’, ndërsa e dyshuara I.L., dyshohet se ka kryer po ashtu, veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dy të dyshuarit, sipas Prokurorisë dyshohet se në mars të vitit të kaluar në Graçanicë, pas një marrëveshje paraprake dhe në bashkëkryerje e kanë vënë në lajthim një të dëmtuar.

Kjo u tha se u bë me qëllim që të dyshuarit vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme.

Që të dy thuhet se përmes paraqitjes së fakteve të rreme, të dëmtuarit i kanë siguruar për vajzën e tij një certifikatë të gjuhës gjermane kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”.

Prokuroria tha se kjo certifikatë, pas verifikimit nga Ambasada përkatëse ka rezultuar e falsifikuar, çka me këtë të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material.

Tutje Prokuroria ka thënë se kjo certifikatë, kinse e lëshuar nga Instituti “Goethe”, është përpiluar nga personi me inicialet I.L., në mars të vitit 2021, në Graçanicë.

Kjo ka bërë që I.L. të dyshohet edhe për kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Një veprim i tillë, sipas Prokurorisë, u bë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria tregoi se të dyshuarit ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerr veprimet e mëtejme ligjore.

Prokuroria në koordinim të plotë me institucionet e tjera relevante janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore, me qëllim të sqarimit në plotëni të kësaj çështjeje penale.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të dyshuarës I.L., avokati Edis Kuraja.

Avokati Kuraja ka konfirmuar për KALLXO.com se klientja e tij është ndaluar nën dyshimin për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimit.

Sipas avokatit rasti ka të bëjë me disa certifikata të cilat dyshohet se janë falsifikuar nga të dyshuarit e më pas të njëjtat janë përdorur në Ambasadën Gjermane dhe në disa ambasada të tjera.