Mungon i akuzuari, dështon seanca ndaj 8 të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve me qëllim kontrabandimi me migrantë

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar gjykimi i Florim dhe Florent Krasniqit, Taulant Bilallit, Sadat dhe Samed Muratit, Haki Malokut, Bekim Hasanit dhe Izet Koplingerit, të akuzuar për krim të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.

Bekim Hasani, njëri nga të akuzuarit së bashku me mbrojtësin e tij Naim Rudari, nuk u paraqitën në seancë edhe pse gjyqtari i rastit Kujtim Krasniqi, lajmëroi se për mbajtjen e të njëjtës palët kanë qenë të njoftuara paraprakisht.

Mungesa e tij bëri që seanca të dështoi dhe të shtyhet për një datë tjetër, e gjyqtari në seancë urdhëroi që sigurimi i të pandehurit në seancë të sillet me shoqërim nga policia, meqë i njëjti mbrohet në liri.

“Mungon i akuzuari Bekim Hasani me avokat Naim Rudari, të njëjtit kanë qenë të njoftuar për datën e kësaj seance, nuk e kanë arsyetuar mos prezencën e tyre, shqyrtimi i sotëm nuk mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit, urdhëroj sjelljen me shoqërim të tij në seancën e radhës”- tha kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit e lartcekur akuzohen se që nga viti 2020 deri në vitin 2021 në role të ndara kanë vepruar si grup kriminal me qëllim të kontrabandimit me migrant.

Pretendimet e Prokurorisë janë se Florent Krasniqi, Haki Maloku, Izet Koplinger, Sadat dhe Samet Murati kanë siguruar persona që kishin për qëllim migrimin në vendet e ndryshme ndërsa në krye të këtij grupi sipas Prokurorisë është Florim Krasniqi, i cili dyshohet se ka krijuar laborator për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Tutje në dosje të këtij rasti thuhet se përmes të akuzuarit Hasani madje edhe vetë Florim Krasniqi këto dokumente ua kanë dërguar qytetarëve të ndryshëm përmes postave të shpejta ose vetë personalisht.

Po ashtu Florim Krasniqi dyshohet se ka bashkëpunuar me Taulant Bilallin në atë mënyrë që kanë gjetur shtetas të Kosovës që kanë dashur të migrojnë në vende të ndryshme dhe kanë bërë prodhimin, furnizimin apo sigurimin e dokumenteve të falsifikuara si pasaporta, letërnjoftime, patentë shoferë dhe dokumente të tjera.

Prokuroria akuzon Koplingerin, Malokun dhe Sadat dhe Samed Muratin se në këtë rast kanë pasur rolin e ndërmjetësuesve.

Këtë rol ata akuzohen se e ushtruan duke gjetur persona të interesuar për dokumente të tilla dhe ia kanë marrë të dhënat personale pastaj ato të dhëna ia dërguan Florim dhe Florent Krasniqit.

Po ashtu Florim dhe Florent Krasniqi në lidhje me këtë për 2-3 orë kanë falsifikuar dokumentet dhe i kanë kthyer tek ndërmjetësuesit, të cilat dokumente këta të fundit ua dorëzuan blerësve dhe kanë përfituar shuma të ndryshme parash dhe atë deri në 3,000 euro.

Përveç kësaj Izet Koplinger akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

 

Mbahet seanca ndaj 8 të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve me qëllim kontrabandimi me migrantë