Aplikimi me dokumente false për viza në ambasada, Policia paralajmëron për pasojat

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka pranuar një numër të konsiderueshëm të lëndëve për hetim të dërguara nga ambasadat në Kosovë, që ndërlidhen me veprimet e qytetarëve gjatë aplikimit për pajisje me viza, me dokumente të falsifikuara.

Andaj, Policia kërkon kujdes nga qytetarët të mos bien pre e personave të pandërgjegjshëm dhe të prezantojnë dokumente të falsifikuara në ambasada,

Sipas Policisë disa nga dokumentet e falsifikuar më së shpeshti janë: Certifikata e gjuhës gjermane, dokumenti i Trustit – kursimeve pensionale, dhe pasqyra bankare.

Policia kujton se identifikimi i dokumenteve të tilla është i lehtë, andaj edhe mund të kenë pasoja në të ardhmen për udhëtime jashtë vendit, por dhe pasoja ligjore, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës,

“Kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet?- thuhet në njoftimin e Policisë.