Çezme - Foto: KALLXO.com

Dyshimet për helmim nga uji në fshatrat e Deçanit, 164 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore

164 qytetarë të komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare pasi që dyshohet se janë helmuar nga uji i Ujësjellësit “Hidrodrini”.

Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha, në një prononcim për KALLXO.com tha se pacientët kanë simptoma të cilat bëjnë të dyshohet se janë të infektuar.

“Pacientët të cilët po dyshohen se janë të infektuar kanë marramendje, kanë të vjellura, barkqitje, dhimbje e temperaturë”, tha Berisha.

Ai tutje potencoi se i gjithë ekipi është angazhuar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme pacientëve.

Por drejtori thekson se nuk mund të konstatojnë se janë helmuar nga uji pasi që ende janë vetëm duke dyshuar.

“Ne nuk mund të themi se janë të helmuar nga uji apo nga dikush tjetër, ende nuk kemi ardhur me konkluzion se a është infeksion bakterial apo viral mirëpo pacientët të cilët kanë kërku ndihmë shëndetësore në QKMF gjatë natës ka qenë 164  prej orës 15:00 deri në mëngjes, ndërsa prapë është duke vazhduar fluksi pak më i rritur se në kushte normale”, theksoi ai.

Tutje, drejtori apelon qytetarët të dëgjojnë thirrjen e “Hidrodrinit” dhe të mos e konsumojnë ujin.

Dyshime për helmim të banorëve të disa fshatrave të Deçanit, Ujësjellësi apelon të mos pihet uji deri në njoftimin e radhës