Ilustrim

Dyshime për ryshfet lidhur me tenderë në MPB, ndalohen për 48 orë katër persona

Policia e Kosovës njofton se katër persona janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për dhënie të ryshfetit.

Sipas njoftimit, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Sektori i Hetimeve të Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë kanë zhvilluar të hënën një operacion policor, ku janë kontrolluar disa lokacione e janë ftuar për intervestim disa të dyshuar.

Për të dyshuarit A.S., B.B. dhe N.Sh. është thënë se ekziston dyshimi se në cilësi të personave zyrtarë gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të disa projekteve në Ministri të Punëve të Brendshme të Kosovës kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerje të projekteve.

Kurse të dyshuarit N.S. dhe G.H. në cilësi të përfaqësuesve të operatorit ekonomik dyshohen për dhënie të ryshfetit me qëllim të “krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e një objekti të një agjencie dhe projekteve tjera të zhvilluara në MPB” dhe të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”.

“Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit janë sekuestruar dëshmi dhe pajisje në cilësi të provës materiale. Pas intervistimit të dyshuarit A.S., B.B., N.S., G.H. me vendim të Prokurorit të Shtetit nga PTH-Prishtinë ndalohen për 48 orë, ndërsa e dyshuara N.Sh. lirohet në procedurë të rregullt”- bëhet e ditur në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet dhe masa ligjore do të ndërmerren ndaj të gjithë personave të përfshirë në vepra të kundërligjshme, pavarësisht rolit dhe funksionit që kryejnë.