Dy të vdekurit në Prishtinë, dyshohet për vrasje dhe vetëvrasje

Dy persona të vdekur janë gjetur sot në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Nga informacionet e deritanishme, viktima dyshohet të jenë një grua dhe një burrë, të dy të moshës 44 vjeçare.

Sipas Policisë dyshohet se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe vetëvrasjes.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, konfirmoi për KALLXO.com së në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar edhe një revole e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes – kryerjes së ekzaminimeve forenzike të deritanishme si dhe veprimeve të para hetimore policia ka ngritur versionin e hetimit se kemi të bëjmë me rast të vrasjes dhe vetëvrasjes. Viktimat një person i gjinisë femërore 44-vjeçare dhe një i gjinisë mashkullore, 44-vjeçar, shtetas kosovarë, kanë humbur jetën nga plagët e marra me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes policia ka sekuestruar edhe një armë zjarri ( revole ) e cila dyshohet të jetë arma e përdorur në rast”, tha Borovci.

Zyrtari policor tha se aktualisht po vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes.