Shtretërit ku kryhet tromboliza në Klinikën e Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK)

Dy metodat e reja të trajtimit të sulmit në tru, shpresë për pacientët kosovarë

Pacientët e Kosovës që pësojnë sulm në tru tash e një kohë mund të trajtohen edhe me dy procedura të reja, moderne, që japin shpresë për të vazhduar jetën pa pasoja të mëdha.

Këto dy procedura të quajtura trombolizë dhe trombektomi kryhen nga neurologët dhe radiologët interventë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kushti më i rëndësishëm që duhet të përmbushet është që pacientët të lajmërohen te mjeku në orët e para të fillimit të simptomave, që konsiderohet të jetë “koha e artë”.

Sulmi në tru, i njohur në popull edhe si “pika në tru” është shkaktari më i shpeshtë i invaliditetit apo paralizës në botë dhe shkaktari i dytë më i shpeshtë i vdekjes, pas sulmit në zemër.

Neurologu Fisnik Jashari tregon se sulmi në tru ndodh kur pengohet qarkullimi i gjakut në tru, për shkak të mbylljes së një ene të gjakut përmes trombit, ose kur ka gjakderdhje në tru. Rastet e para përbëjnë 85 për qind të të gjitha rasteve dhe mund të trajtohen edhe përmes dy procedurave në fjalë.

Simptomat e sulmit në tru mund të jenë të ndryshme, por janë të përnjëhershme, e jo graduale.

“Nëse kemi dobësim të fytyrës në njërën anë, vetëm pjesa e poshtme e fytyrës. Kur pacienti flet dhe e shohim që njëri kënd i gojës po bie poshtë. Të folurit, një pacient që ka qenë duke folë normal edhe përnjëherë po flet pa kuptim ose nuk po mundet t’i shqiptojë fjalët. Kur përnjëherë e humb shikimin me njëri sy, ose e sheh vetëm gjysmën e figurës. Probleme me stabilitet, për një moment tenton me u rrëzu. Dobësimi i përnjëhershëm i këmbës ose i dorës, kur bie dora e nuk mundet me e ngrit ose bie këmba dhe nuk mundet me ec” – janë simptomat e shpjeguara nga neurologu Jashari në një intervistë për KALLXO.com.

Për t’i bërë sa më të lehta për t’u mbajtur mend, ata kanë krijuar edhe një poster. Të përshtatur nga anglishtja, kanë krijuar shkurtesën FSK, në të cilën secila shkronjë tregon dy simptoma: F – fytyra dhe të folurit, S – sytë dhe stabiliteti, K – krahu dhe këmba si dhe koha për të thirrur urgjencën në numrin 194.

Posteri shpjegues për simptomat e sulmit në tru

“FSK janë tri shkronja që mbahen mend lehtë nga populli” – thotë Jashari duke ju referuar shkurtesës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.

E këto simptoma shpesh nënvlerësohen nga pacientët duke provuar që t’i trajtojnë ato në kushte shtëpie, sipas radiologut intervent, Ardian Biçaku.

“Zakonisht simptomat nënvlerësohen nga pacientët dhe tentojnë ta trajtojnë me një çaj, me një gjumë ose me një barnë që hajt se më kalon ose ajo e famshmja promaja që e përmendin. Edhe pastaj vonohet, kur lajmërohet te neurologu ka kaluar koha e artë e trajtimit, truri veçse ka pësu ndryshime. Trajtimi (me trombolizë ose trombektomi) jo vetëm se nuk do të jetë i suksesshëm por do të jetë edhe i dëmshëm” – thotë Biçaku.

Neurologu ka edhe një këshillë për të afërmit e pacientëve që pësojnë sulm në tru. Ai thotë se te shumica e tyre, në fazën fillestare ka rritje të tensionit të gjakut, por që nuk duhet tentuar të ulet, sepse në atë rast, ai është mekanizëm mbrojtës.

“Për shkak se bllokohet qarkullimi i gjakut në njërën anë të trurit, atëherë vetë pjesa e trurit që është duke vuajt për gjak, e rrit punën e zemrës në mënyrë që të marrë enë të gjakut anësore dhe kështu ndihmon me e zvogëlu zonën që do të dëmtohet te truri. Pra hipertensioni te sulmi në tru është si mekanizëm mbrojtës, dhe ajo që shpesh bëhet gabim kryesisht nga familjarët, që ju qëllon aty afër ndonjë medikament që e ul shpejt tensionin arterial që vendohet nën gjuhë, në ato raste neve na bën dëm sepse duke e ulur tensionin e gjakut ne po ia humbin këtë mundësi trurit” – tha ai.

Ndonëse hapat e parë u nisën nga viti 2018, Klinika e Neurologjisë në bashkëpunim me atë të Radiologjisë ka filluar ofrimin e trombolizës më intensivisht nga viti 2022 e të trombektomisë nga fundi i vitit 2023.

Çfarë janë tromboliza dhe trombektomia?

Me trombolizë kuptojmë dhënien e një infuzioni përmes venës sikurse infuzionet e tjerë të zakonshëm, mirëpo që ka në përmbajte një ilaç i cili tenton ta shkrijë trombin i cili është formuar në enën e gjakut.

Kështu e shpjegon këtë procedurë neurologu Fisnik Jashari, i cili është njëri prej 26 neurologëve të kësaj klinike të cilët mund të kryejnë këtë procedurë.

“Pacientët që vijnë me simptoma të sulmit në tru brenda katër orëve e gjysmë pas fillimit të simptomave, ata mund të përfitojnë nga kjo terapi, nëse nuk kanë kontraindikacione për dhënien e kësaj terapie. Trombektomia mund të kryhet brenda 6 orëve, në raste të veçanta edhe brenda 24 orëve” – thotë ai.

Trombektomia është procedurë tjetër, invazive, e ngjashme me vendosjen e stentave në zemër, që është më e njohur për popullin. Por, në këtë rast intervenimi bëhet në enët e gjakut të trurit, e jo të zemrës. Ajo kryhet nga ekipe të mjekëve neurologë dhe radiologë interventë.

“Qasja bëhet përmes arterieve në këmbë ose në dorë, dhe përmes kateterëve dhe pajisjeve adekuate arrihet deri te arteriet brenda në tru dhe largohet me pajisje të caktuara trombi apo gjaku i ngjizur dhe arrihet kalueshmëria e enës së gjakut”- shpjegon radiologu Biçaku.

Qytetarët që thërrasin urgjencën me dyshimin se ata apo dikush tjetër po pëson sulm në tru, do të lidhet më pas me neurologët përmes një linje të vecantë.

Për të vendosur nëse duhet bërë apo jo ndonjëra prej këtyre procedurave, mjekët duhet t’i ndërmarrin disa hapa të tjerë paraprakë. Ata janë ekzaminimi nga neurologu për gjendjen e pacientit, ekzaminimi imazhërik në CT ose rezonancë magnetike, për të parë gjendjen brenda trurit, për të parë nëse ka gjakderdhje apo jo.

Nëse këto kushte janë të përshtatshme, atëherë ekzekutohet trombektomia. Nëse ajo nuk është efektive, atëherë faza e fundit është trombektomia.

Shkalla e suksesit të këtyre procedurave, sic thotë Jashari është 30 për qind te tromboliza e 50 për qind te trombektomia. Ai thotë se edhe ne QKUK përqindja ka rezultuar e ngjashme.

Pavarësisht nevojës më të madhe, numri i pacientëve që ju kanë nënshtruar këtyre terapive në QKUK nuk është edhe aq i lartë, sidomos te trombektomia. E ndër faktorët kryesorë te kjo, sipas mjekëve është vonesa e pacientëve për t’u lajmëruar në institucione shëndetësore.

Nga prilli i vitit 2022 deri në prill të vitit 2024 në Neurologji janë realizuar 118 tromboliza. Ndërsa, te trombektomia numrat janë dyshifrorë.

“Numrat nuk janë të mëdhenj edhe pse kërkesa në Kosovë në bazë të statistikave tona është rreth 350 raste në vit, numri i rasteve tona janë shumë të ulëta, nën 10 në vitin e fundit” – tha Biçaku.

Për trombektominë janë të trajnuar 6 radiologë interventë, thotë ai, i cili ka qëndruar rreth një vit në Stamboll të Turqisë për këtë trajnim.

Përderisa në Kosovë thotë se kjo procedurë zgjat 45 deri në një orë, në njërën prje qendrave më të mëdha në Stamboll për kryerjen e kësaj metode, ai thotë se më së shkurti kanë parë kryerjen e saj për 15 minuta.

“Tendenca botërore është që këto procedura të shkurtohen shumë më shumë që kryesisht varen nga organizimi i brendshëm i trajtimit të kësaj patologjie” – thotë ai.

Kostoja e këtyre metodave është mjaft e lartë, por vlerësohet të jetë kost-efektive, në të cilën ia vlen të investohet, duke pasur parasysh efektin.

“Trajtimi akut i sulmit në tru është ndër procedurat më të kushtueshme në mjekësinë moderne, sidomost trajtimi neurointervent, përmes kateterave. Qeveria përmes ShSKUK-së ka siguruar infuzionet me alteplazë, e di që shuma mesatarisht për një pacient është diku 1 mijë euro, vetëm dhënia e infuzionit” – tha neurologu Jashari.

“Stroku ose sulmi në tru ka kosto. Kosto janë edhe trajnimet e vazhdueshme të stafit shumicën e rasteve jashtë vendit. Edhe materialet shpenzuese për trombektomi kanë një kosto të lartë” – shton ai.

Por edhe Jashari edhe Biçaku thonë se kjo kosto nuk është më e lartë se sa kosotoja e përkujdesjes për një person me invaliditete

“Nëse nuk trajtohen, mbi 50 për qind e pacientëve mbesin me një shkallë të invaliditetit që në një formë e pamundëson vazhdimin e punës që ata kanë qenë duke e kryer më herët. Në këtë formë, mund të bëhen barrë edhe për familje edhe për shoqërinë sepse mandej këta duhet të futen nëpër skemat sociale që shteti t’i përkrahë meqë nuk janë të aftë të punojnë” – tha Jashari.

Edhe pse këto dy shërbime ofrohen 24 orë në QKUK, ato nuk oforhen në institucione të tjera shëndetësore në Kosovë. Duke qenë se koha luan rol kyç, për pacientët që gjenden në zona më larg kryeqytetit, marrja e këtij shërbimi mbetet problematik.

Biçaku thotë se spitalet rajonale nuk janë shumë larg QKUK-së, dhe për shtetin është shumë më lirë 45 minuta deri në një orë udhëtim nga spitalet në QKUK-së, se sa implementimi i shërbimeve e pajisjeve të tilla nëpër spitale.

“Kosova e ka një gjeografi shumë të përshtatshme, secila qendër (spital) është më së largu 45-1 orë larg Prishtinës. Për 45 minuta udhëtim nga njëri spital në QKUK do të jetë shumë më lirë për shtetin se sa ta implementojë këtë shërbim e pajisje të tilla nëpër spitale… Derisa të kryhet transporti do të kryhen të gjitha procedurat e tjera, do të jemi të gatshëm për sallë me një sistem dhe komunikim të mirëfilltë” – thotë ai.

Për pacientët që nuk mund të marrin këto dy shërbime, qoftë për shkak të vonesës në kohë, të gjakderdhjes në tru apo arsyeve të tjera, sipas radiologut rekomandohet trajtimi klasik, i njohur si “Best medical treatment”, që shqip do të thotë “Trajtimi më i mirë mjekësor”.

“Në ato situata më tepër rekomandohet trajtimi klasik që ka ekzistu deri tash. Best medical treatment, me barna jo me intervenime, jo me trombolizë, por të shtrihet në Neurologji, të trajtohet tensioni, të trajtohen faktorët e rrezikut, të jepen antiagresues për hollim të gjakut dhe në mënyrë klasike të ruhet sa më tepër pjesa tjetër e trurit dhe të shpresojmë që dëmi do të jetë sa më shumë autorregullues” – shtoi doktori Biçaku.

Për të rritur vetëdijen për këtë sëmundje, Ministria e Shëndetësisë ka publikuar një video si pjesë e fushatës vetëdijësuese, në të cilën njëra prej pacienteve që ka pësuar sulm në tru tregon për përvojën e saj të shërimit falë reagimit të shpejtë e marrjes së terapisë.