Dy gra fitojnë çmimet si shkencëtare të vitit 2021

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndarë çmimet “Shkencëtari i vitit” dhe “Shkencëtari i ri i vitit” për vitin 2021.

Këto çmime janë ndarë nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci për Ibadete Bytyçin si shkencëtare e vitit dhe për Fjolla Kaçanikun, shkencëtare e re e vitit 2021.

Ministrja Nagavci ka prezantuar të dy fitueset e çmimeve.

“Doktoreshë e shkencave, kardiologe, është anëtare e shumë shoqatave kardiologjike ndërkombëtare, ka tetë mirënjohje në nivel ndërkombëtarë dhe internacional për arritje profesionale shkencore, ka katër libra të botuara, tre udhërrëfyes vendor dhe një ndërkombëtarë, po ashtu ka 40 punime shkencore dhe 17 punime si autore ai autore e parë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore është paraqitur me 72 abstrakte, prej tyre në 42 si autore e parë”, ka thënë Nagavci për Ibadete Bytyçin.

Ministrja gjithashtu ka prezantuar fituesen tjetër, Fjolla Kaçaniku.

“Është doktor në fushën e shkencave të edukimit dhe puna e saj shkencore është prezantuar përmes punimeve të saj të paraqitura në data baza të cilat janë të indeksuara në Scopus në kuartalin e dytë dhe të tret e të njohura ndëkombtarisht”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër fitueset e çmimit për shkencë kanë falënderuar MAShTI-n për vlerësimin.

“Në këtë botë nuk di që ka ndonjë gjë më pushuese se sa atëherë kur puna e jote ka vlerë, ajo e bën aq të lehtë mundin dhe sakrificën e mundit tënd”, ka thënë Ibadete Bytyçi.

Ndërsa, Fjolla Kaçaniku ka vlerësuar se “në këtë moshë dhe në këtë kohë me u njoftë puna jonë si shkencëtare sidomos në fushën e shkencave të edukimit, që ndoshta deri tash nuk është pa si fushë me vlerë në shoqërinë tonë”.