Drenas, banorët e 4 fshatrave ndihen të rrezikuar nga mungesa e një rrethrrotullimi

Mungesa e një rrethrrotullimi që do të lidhte tri fshatra të Komunës së Drenasit ka nxitur protesta nga banorët.

Banorët e fshatrave Vërboc, Tërstenik, Shtuticë e Polluzhë ankohen se mos ndërtimi i rrethrrotullimit po u vështirëson atyre qasjen për në qytetin e Drenasit, e që rrezik sipas tyre, u kanos edhe fëmijëve të kësaj ane.

Javën e kaluar në shenjë pakënaqësie kanë bllokuar rrugën për qarkullim, por që shprehen këmbëngulës se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesës së tyre.

Sipas Fadil Tikut, administrator i fshatit Vërboc, si pasojë e mungesës së një rrethrrotullimi banorët po detyrohen të qarkullojnë shtatë kilometra më shumë për në Drenas.

“Kemi protestu edhe nuk do t’i ndalim protestat deri të arrihet të bëhet. Na nevojitet rrethrrotullim edhe ka qenë në projekt. Fshati Vërboc dhe Shtuticë për me shku deri në Drenas i duhet edhe 7 kilometra më shumë, e kështu prej ktuhit deri Drenas është 7 kilometra e pa rrethrrotullimin duhet 14 kilometra për me shku. Kjo paraqet edhe rrezik për kalimtarët sidomos për fëmijët”, tha ai.

Ai u shpreh se kanë bërë kërkesë në Komunën e Drenasit, e që kjo e fundit e ka dorëzuar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit si përgjegjës për punimet në kuadër të zgjerimit të rrugës Skenderaj – Drenas.

“E kemi bërë kërkesën në komunë. Komuna e ka dorëzu në Ministri, e jemi duke prit tash. Nëse nuk realizohet kërkesa jonë, kemi me vazhdu me protestu”, u shpreh Tiku për KALLXO.com

Vendi ku banorët kërkojnë që të ndërtohet rrethrrotullimi – Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, banori i fshatit Tërstenik, Agron Gashani deklaroi se mungesa e rrethrrotullimit me së shumti po ndikon të personat e sëmurë të kësaj ane.

“Problemi është aty dhe te ndonjë sëmundje eventuale duhet me shku ne rrethrrotullim gati 6 km për mu sjell për Drenas”, deklaroi Gashani për KALLXO.com

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje që nga java e kaluar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, por të njëjtit nuk janë deklaruar.

Ndërkaq, në Komunën e Drenasit thonë se kanë paraqitur kërkesën në Ministrinë e Infrastrukturës, në të cilën kërkohet ndërtimi i rrethrrotullimit në kuadër të punimeve për zgjerimin e rrugës Skenderaj – Drenas.

​​“Komuna e Drenasit ka përcjellë këto shqetësime dhe kërkesat me shkrim te përfaqësuesve te fshatrave Vërboc, Tërstenik, Shtuticë e Polluzhë ne Ministrinë e Infrastrukturës përkatësisht ne Drejtorinë e Rrugëve për shkak të mos ndërtimit te një rrethrrotullimi në kuadër të punimeve për zgjerimin e rrugës Skenderaj – Drenas te cilat i kane paraqitur ne Drejtorinë e Infrastrukturës Publike ne te cilën kërkohet ndërtimi i rrethrrotullimit”, thuhet në përgjigjen elektronike të Komunës së Drenasit të bashkangjitur me kërkesën e banorëve.

Vendi ku banorët kërkojnë që të ndërtohet rrethrrotullimi – Foto: KALLXO.com

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me punimet që janë duke u zhvilluar në zgjerimin e rrugës Skenderaj – Drenas.

Saktësisht përgjatë rrugëve Tërstenik dhe Polluzhë ende pa u bërë një vit që nga koha kur punimet rinisen është dashur që të intervenohet përsëri.

Kjo pasi që asfalti i shtruar ishte dëmtuar pas disa muajve dhe si rrjedhojë sanimi shihej dukshëm në disa pjesë.

Rruga që do të mundëson qasje më të lehtë në magjistralen Prishtinë-Pejë kishte filluar në korrik të vitit 2014 në kohën kur ministër i Infrastrukturës ishte Fehmi Mujota, që më pas kaloj në barrën e Lutfi Zharkut dhe e pastaj ministrit në detyrë Pal Lekajt.

Ende pa përfunduar, asfalti në rrugën Skenderaj-Drenas dëmtohet