Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i shkollës në Fushë-Kosovë kundërshton SBASHK-un, thotë se duhet të mbahet mësimi plotësues

Më 20 prill, Ministria e Arsimit mori vendim që të organizohet mësimi plotësues në shkolla për nxënësit që kanë ngecje në rezultate si pasojë e pandemisë COVID-19.

Por, ndaj këtij vendimi ka reaguar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duke kërkuar shtesa në pagë për mësimdhënësit.

Me këtë kërkesë të SBASHK-ut nuk po pajtohet një drejtor i një shkolle në Fushë-Kosovë.

Sabri Xhigoli, drejtor i shkollës “Daut Bogujevci” në Fushë-Kosovë, ka thënë se një kërkesë të tillë nuk e ka pranuar nga mësimdhënësit dhe pret që të zhvillohet mësimi plotësues.

“SBASHK përfaqëson anëtarësinë e vetë, kurrkënd tjetër. Unë e përfaqësoj shkollën prej nga vij dhe me gjithë deklaratën e tillë të krerëve të SBASHK-ut, por asnjë mësimdhënës nga shkolla ime nuk më është deklaruar se do të mbetet në kërkesën e SBASHK-ut dhe mos ta mbajnë mësimin plotësues, unë pres që të përgjigjen dhe ta mbajnë mësimin”, ka deklaruar ai.

Me kërkesën e SBASHK-ut nuk është pajtuar as zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci. Ai ka thënë se kjo Sindikatë duhet të reflektojë.

“Më e pakëta që kemi mujtë me bë në këtë situatë, ka qenë me kërku prej shkollave me organizu mësimin plotësues në lëndët kyçe, në lëndët e shkencave të natyrës. Ne nuk kemi marrë asnjë reagim nga shkollat që nuk do ta mbajnë mësimin plotësues”, tha ai në emisionnin “Kallxo Përnime”.

“Kjo e SBSHK-ut ka qenë një deklaratë publike që nuk na u janë drejtu direkt, nuk është momenti i duhur që të bëhen kërkesa të tilla dhe besoj që SBASHK-u do të reflektojë”, deklaroi Pupovci.