DUKAGJIN PUPOVCI

Dukagjin Pupovci flet për largimin e tij nga pozita e zëvendësministrit

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka konfirmuar se do të largohet nga posti i tij.

Për KALLXO.com ai tha se ka planifikuar që në fund të këtij viti të tërhiqet nga ky post dhe njoftimin ia ka komunikuar edhe ministres Arbërie Nagavci dhe kryeministrit, Albin Kurti, në tetor.

Arsyet e këtij vendimi Pupovci tha se janë personale.

“Është e vërtetë se kam planifikuar që deri në fund të vitit 2022 të tërhiqem nga posti i zëvendësministrit të MASHTI dhe këtë ia kam komunikuar ministres Nagavci dhe kryeministrit Kurti në tetor. Arsyet janë të natyrës personale” – tha Pupovci.

Ai tregoi se dorëheqjen formale nuk e ka bërë ende dhe se këtë do ta bëjë kur t’i përfundojë disa punë që ka filluar.

“Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e kam paraqitur akoma, por këtë do ta bëj në kohën e duhur, kur t’i përfundoj edhe disa punë që i kam filluar dhe në koordinim me ministren e kryeministrin. Edhe  pasi të jem larguar nga posti i tanishëm do të mbetem aktiv në fushën e arsimit” – përfundoi ai.