MASHTI nuk ka të dhëna nga shkollat nëse ka raste të infektimit nga 'Kinder '

Në fillim të javës, Agjencia e Standardeve të Ushqimit në Mbretërinë e Bashkuar kishte kërkuar që produktet e vezëve “Kinder Surprise” të largohen nga tregu për shkak të dyshimeve të prezencës së bakterit salmonella.

Në anën tjetër Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka njoftuar se është urdhëruar tërheqja e tërësishme e këtyre produkteve nga tregu.

Deri më tani nuk ka raste të raportuara apo të regjistruara  me të infektuar me bakterien salmonela në  shkollat e Kosovës, sipas zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Pupovci.

“Ne nuk kemi pas një informacion të tillë nga shkollat dhe ky lajmi nga AUV-i për mua nuk është i njohur, mirëpo meqë po thoni që paska qenë para dy ditësh, atëherë gjatë kësaj jave shkollat janë në pushim pranveror dhe nuk kemi pas informacion që diçka e tillë ka ndodhë në shkolla”, ka thënë Pupovci, duke iu përgjigjur pyetjes së KALLXO.com për këtë çështje, në një konferencë për media të premten.

Kurse, AUV-i ka bërë të ditur se pasi të verifikohen të gjitha sasitë e mbledhura do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.

“Për të hequr dyshimet për të gjitha lotet e ndryshme të cilat mund të jenë prezentë në tregun e brendshëm, AUV pas marrjes se njoftimit sot ne mesditë nga RASFF vendos tërheqjen e tërësishme të produkteve KINDER”, thuhej në njoftimin e AUV-it më 6 prill.

Salmonellat janë një grup bakteresh që mund të shkaktojnë helmim nga ushqimi.

Britani – Vezët e çokollatës Kinder Surprise tërhiqen nga tregu nga frika e prezencës së salmonelës