Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, Facebook

Drejtori i Kardiologjisë në QKUK thotë se ka lejuar familjarët t’i ushqejnë pacientët, në mungesë të infermierëve

Për shkak të numrit të pamjaftueshëm të infermierëve, drejtori i Klinikës së Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK, Lulzim Kamberi ka thënë se ka lejuar hyrjen e familjarëve në klinikë për të ushqyer pacientët, ndonëse kjo klinikë ka 70 infermierë.

Këtë deklaratë, ai e dha gjatë raportimit të tij para bordit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK|), më 21.02.2024. Kjo mbledhje u shoqërua me disa mospajtime mes Drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe kryesuesit të bordit, Naim Bardiqi.

“E mbajmë gjysëmintensivën me dy infermiere. E kemi një infermiere për 10 pacientë. Unë i kam leju familjarët me hy, për me i ushqy” – ka thënë Kamberi.

Kryesuesi i bordit, Naim Bardiqi pati kritika ndaj kësaj deklarate.

“Keq! Ne e dimë që brenda ShSKUK-së ka tepricë të infermierëve, është çështje e thjeshtë e transfereve” – tha ai.

Kamberi u pyet edhe lidhur me listën e pritjes për koronarografi, e cila është 1 vit pritje. Anëtari i bordit, Dren Boshnjaku e pyeti se pse nuk është zvogëluar lista e pritjes ndonëse është rritur numri i koronarografive të kryera. 

Drejtori i Klinikës u përgjigj duke thënë se është rritur edhe nevoja për këtë shërbim dhe që duhet të rritet numri i aparaturave e i stafit. Ai shtoi se rastet urgjente nuk presin, por vetëm ato elektive.

Gjatë mbledhjes, Kamberi tha se është i befasuar me shifrën që kanë arritur duke marrë parasysh se janë vetëm 16 kardiologë invazivë, të cilët kryejnë këtë procedurë dhe numrin e pushimeve.

“Me 30 ditë aktive pushim, plus me përvojë pune shkojnë deri në 34, edhe vikendet shkojnë deri në 50 ditë. Ju duhet me më shpërbly shumë, me më lavdëru sepse kam thy rekodin me diçka të pamundur. Me 50 ditë aktiv pushim, me 30 minuta pauzë me 6 orë pune” – tha ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Kamberit për më shumë detaje lidhur me këtë çështje.

Ai tha se lista e pritjes është zvogëluar, por shtoi se numri i rasteve të reja që kanë nevojë për koronarografi dhe intervenime të ndryshme kardiake është shtuar dhe se presin që të shtohet edhe më tej.

“E përsërisë se Klinika e Kardiologjisë ka pasur numër rekord vizitash në ambulantën specialistike. Nga 14 mijë sa ka qenë rekordi vitin që lamë pas, numri ka arritur në mbi 20 mijë. Nga këto vizita kardiologët arrijnë të diagnostikojnë të sëmurët të cilët kanë nevojë për intervenime të ndryshme, ndër to edhe për koronarografi dhe/ose PCI. Rritja e cilësisë së punës si dhe rritja e vëllimit të punës ka bërë që të shtohet kërkesa për koronarografi dhe PCI. Kjo ishte e pritur duke analizuar trendet e vendeve të tjera” – tha Kamberi.

Prezantimi i Kamberit para bordit ishte fokusuar në trendet e statistikat e vendeve të rajonit e të Evropës. Për këtë, ai u kritikua nga anëtari i bordit, Besim Demolli, i cili tha se kishte huqje të prioriteteve në prezantim.

Kardiologjia kishte arritur rekord koronarografishë në vitin 2019, me 3 mijë e 335 sosh. Ky numër u kalua gjatë vitit 2023, me realizimin e mbi 4 mijë sosh.

Koronarografia është një test mjekësor që kontrollon enët e gjakut rreth zemrës. Një tub i hollë futet në një enë gjaku dhe një ngjyrë injektohet për t’i bërë arteriet të dukshme në rrezet X. Kjo i ndihmon mjekët të identifikojnë çdo bllokim ose problem me qarkullimin e gjakut në zemër, duke i lejuar ata të diagnostikojnë dhe planifikojnë trajtime për problemet e zemrës.

Ndërsa, PCI është procedurë mjekësore që përdoret për të hapur dhe zhbllokuar arteriet koronare të ngushtuara ose të bllokuara rreth zemrës.

Drejtori i ShSKUK-së Elvir Azizi tregoi se është në plan blerja e një angiografi, aparaturë që shërben edhe për koronografi. Me këtë, u shpreh i befasuar kryesuesi i bordit, Bardiqi.

Azizi iu përgjigj duke thënë se kjo ka qenë edhe informatë publike.

“Publike? Na n’gazeta me e marrë vesh? Na duhet me e marrë vendimin sepse për me e ble një angiograf na duhet me e dit vërtet a e sjell vlerën për para, a munden me e kry dy angiografa ekzistues. Me marr aparata e me e përdor minimum, ai kushton pare” – tha Bardiqi.

Mospajtim mes Azizit e Bardiqit pati edhe lidhur me orarin e punës. Kardiologët invazivë punojnë me orar të shkurtuar, 6 orë në ditë, për shkak të rrezikshmërisë në punë. 

“Drejtor disa herë e kemi bisedu, nuk domethënë që mas 6 orëve duhet me ec, ti kontingjentin e orëve e rregullon në muaj, në javë dhe në ditë, por patjetër duhet me kanë 8 orë. Nuk ka për besë kurrfarë logjike, me i ble 3 angiografa e me i përdor veç 6 orë” – tha ai.

Drejtori Azizi replikoi duke thënë se nuk punojnë vetëm 6 orë, por edhe pasdite. Ndërkaq, Bardiqi tha se pasdite punohet vetëm për rastet urgjente.

Gjatë mbledhjes, Kamberi tha se kanë nevojë edhe për një aparat ekokardiografie për të evituar gabimet në vlerësime dhe ka dy vite që janë në proces të blerjes së tij.

Njësia koronare dhe gjysëmintensiva nuk kanë eko. Gabimet janë të mundshme dhe kanë ndodh. Jemi në proces të blerjes për dy vite” – tha ai.

KALLXO.com ka kërkuar më shumë informacione lidhur me këto gabime. Kamberi në një përgjigje me shkrim tha se gabimet janë korrigjuar pa pasoja për të sëmurin.

Klinika e Kardiologjisë posedon një aparat ekokardiografie të cilësisë së lartë, të cilin nuk mund ta përdorim gjithnjë te shtrati i të sëmurit. Prandaj përkohësisht kemi vlerësime jo të plota ose edhe të gabuara, të cilat janë rivlerësuar dhe korrigjuar pa pasoja për të sëmurin. Kërkesa e parashtruar është të kemi më shumë aparate mobil të ekokardiografisë me të cilët do të kryenim punën në çdo repart pa pasur nevojë ta lëviznim një aparat i cili është i lidhur me pajisje për ruajtje të shënimeve, pra është pjesërisht i fiksuar” – tha drejtori.

Në fund, të gjithë u dakorduan që për shkak të shumë çështjeve që duhen diskutuar për Kardiologjinë, të caktohet një takim tjetër mes tyre.

Edhe pse raportet ndërkolegiale në Klinikën e Kardiologjisë janë mjaft të irrituara, kjo temë nuk u përmend fare në mbledhje. Gatë vitit të kaluar, një kardiolog dyshohet se kishte goditur me grusht kolegun e tij në Kardiologji. Ndaj tij, Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë për veprën “lëndim i lehtë trupor”. Pas këtij rasti, 18 kardiologë kishin protestuar duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të klinikës, për disa arsye, ndër to edhe mbrojtjen e dhunuesit. Këto akuza i kishte mohuar vetë Kamberi.

Numri i të sëmurëve gjatë vitit 2023, deri më 15 dhjetor, sipas raportimit të tij ka qenë 7 mijë e 386, ndërsa numri i të vdekurve 257.