Drejtori i Inspektoratit të Ministrisë së Arsimit kandidat për deputet nga LDK

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti.

Në garë janë konfirmuar 21 parti politike me mbi 1 mijë kandidatë për deputetë.

Garës për të siguruar një ulëse në Kuvendin e Kosovës i ka hyrë edhe Defrim Gashi, drejtor i Inspektoratit të Arsimit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kjo Ministri udhëhiqet nga Ramë Likaj i AAK-së, parti kjo në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Defrim Gashi është propozuar nga dega e LDK-së në Dragash.

Në një bisedë për KALLXO.com, Gashi ka thënë se legjislacioni në fuqi nuk ia ndalon që ai të kandidojë për deputet.

“Po, ligji e lejon, Ligji për zyrtarët publikë, neni 22 e lejon. Unë nuk kam qenë në asnjë strukturë, është e drejtë e çdo qytetari me vendosë që në cilën parti don me kanë, por unë nuk jam në asnjë strukturë. Ligji për zyrtarët publikë thotë që zyrtarët publikë nuk bën të bartin pozita të larta politike”, ka thënë ai.

Defrim Gashi ka premtuar se shtatë ditë para se të fillojë fushata zgjedhore do ta ngrijë pozitën që mban në Ministri.

“Unë jam zyrtar publik, jam drejtor i Inspektoratit, unë nuk kam asnjë pozitë në parti. Do ta ngrij pozitën shtatë ditë para fushatës, pozitën në Inspektoratin e Arsimit”, deklaroi ai.

Ligji për zyrtarët publikë, neni 22 i cili flet për “të drejtat politike”, saktëson se kur një zyrtar publik mund të bëhet pjesë e politikës.

“Zyrtarët publikë, të cilët kandidojnë për zgjedhjet qendrore ose lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës shtatë (7) ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës. Pezullimi përfundon pesë (5) ditë pas mbylljes zyrtare të fushatës”.  thuhet në pikën 5 të nenit 22.