Drejtori i IKShPK-së tregon pse po hezitojnë mjekët të vaksinohen

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, e ka quajtur të pakuptueshme refuzimin e vaksinimit të disa mjekëve me vaksinën “AstraZenca” në Kukës gjatë ditëve të kaluara.

“Nuk mund të kuptoj punëtorët shëndetësorë që kanë njohuri për vaksinën, për sëmundjet ngjitëse, që refuzojnë të marrin vaksinën. Për mua është e paqartë që dikush të refuzojë ta marrë atë. Nuk është e obliguar që patjetër duhet ta marrin por që duhet të kemi parasysh që marrja e vaksinës së pari e mbron individin, së dyti rrethin dhe tërë nivelin shtetëror”, ka thënë Ramadani në emisionin “Kallxo Pernime”.

 

Ramadani ka theksuar se efektet anësore janë normale nga një vaksinë kundër COVID-19.

“Efekte anësore mund të jep çdo gjë. Si shembull mund të marrim, nëse jemi 10 persona dhe të gjithë me hangër tamblariz, njërit nga ne do ia ngjes stomaku, sepse jo të gjithë mund ta tretim. Njësoj mund të ndodh edhe me vaksinën. Një pjesë solide e mjekëve të vaksinuar kanë pasur lodhje, temperaturë të lehtë, ose ndjenjë të kokëdhembjës ose ndonjë dhembje të qafes por që në përgjithësi janë shenja normale për të marrë një preparat, siç është vaksina sepse zgjon imunitetin. Kjo nuk do të thotë që njerëzit duhet të demoralizohen që të mos vaksinohen”, tha Ramadani.