Foto-ilustrim

Dosja e Prokurorisë së Pejës, kolegu i policit që u godit me veturë tregon në detaje si ndodhi ngjarja

“E ka goditur pa frenuar fare dhe ka hyrë në anën e majtë të rrugës. E ka vërejtur shumë mirë policin që i kishte dhënë shenjë për t’u ndalur”.

Kështu e ka përshkruar zyrtari policor ngjarjen që ka ndodhur më  25 dhjetor rreth orës 18:00 në Ozdrim të Pejesë, ku kolegu i tij ishte goditur nga një veturë, të cilën e ngiste tashmë i arrestuari A. Gashi.

Polici ka pësuar lëndime në kokë dhe në trup ndërsa rasti po trajtohet si vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Detaje se si ndodhi e gjithë ngjarja janë dhënë në dosjen e Prokurorisë së Pejës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

I dyshuari për këtë rast është arrestuar sot dhe është në ndalim për 48 orë, përderisa Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj 21-vjeçarit.

Në dosjen e Prokurorisë është përfshirë edhe dëshmia e kolegut të viktimës që ishte në vendin e ngjarjes.

“Kolegu i ka dhënë shenjë një veture me bateri që të ndalet por i njëjti nuk e ka përfillur shenjën e policit, në momentin që është afruar afër kolegut ka kaluar në anën e kundërt ku ishte i pozicionuar kolegu në skajin e rrugës dhe e ka goditur” – ka thënë polici i Njësisë së Trafikut Rajonal në Pejë.

A. Gashi po dyshohet për veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë.

Pasi e kishte kryer veprën, i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Ai e kishte braktisur veturën e tij afër një mulliri.

I njohur me nofkën “Uzdrimi”, i dyshuari sipas dosjes së Prokurorisë konsiderohet si recidivist i veprave penale.

I dyshuari për tentim vrasjen e policit – 23 raste në Polici, 10 aktakuza e dy herë i dënuar

www.kallxo.com