Foto-ilustrim

I dyshuari për tentim vrasjen e policit - 23 raste në Polici, 10 aktakuza e dy herë i dënuar

21-vjeçari i dyshuar për vrasjen në tentativë të policit në Pejë është një person i njohur për organet e drejtësisë.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Pejës, A. Gashi është një recidivist i veprave penale.

Dosja, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se A. Gashi ka disa raste të hapura në Policinë e Kosovës, disa aktakuza të ngritura nga Prokuroria e Pejës e po ashtu është i dënuar në dy raste me vendim të formës së prerë.

Në dosje thuhet se referuar data-bazës së Policisë së Kosovës 21-vjeçari është i dyshuar në 23 raste të ndryshme penale.

Ndërsa referuar data-bazës së Prokurorisë së Pejës, kundër të pandehurit A. Gashi janë ngritur 10 aktakuza për vepra të ndryshme penale.

“Janë kryesisht vepra penale nga kapitulli kundër jetës dhe trupit si dhe janë duke u zhvilluar hetimet për dy raste tjera për vepra po nga ky kapitull” – thuhet në këtë dosje.

Tutje është thënë se i pandehuri në bazë të ekstraktit mbi dënimet penale rezulton të jetë i dënuar edhe me aktgjykime e formës së prerë në dy raste.

Njëri dënim është dhënë më 17 korrik 2023 nga Gjykata e Pejës për veprën penale – lëndim i lehtë trupor.

A. Gashi në këtë rast ishte dënuar me burgim me kusht.

Ndërsa në një rast tjetër, më 27 mars 2023, Gjykata e Pejës e dënoi me gjobë për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

I pandehuri A. Gashi është arrestuar pasi dyshohet se është personi që më 25 dhjetor rreth orës 18:00 ka goditur me veturë një zyrtar policor, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.

Rasti po cilësohet si vrasje e rëndë në tentativë.

Rasti ka ndodhur në Ozdrim të Pejës.