Dosja e prokurorisë për vrasjen e rëndë në tentativë, në seancë paraqitet vetëm avokati
I akuzuari Gëzim Braholli, i cili ngarkohet nga Prokuroria për vrasje të rëndë në tentativë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve, nuk u paraqit sot në gjykatë.
Florent Latifaj avokati mbrojtës i të akuzuarit, u shpreh para trupit gjykues të përbërë nga Gëzim Ademi kryetar, dhe anëtarë Gazmend Bahtiri dhe Medie Bytyqi, se klienti i tij gjendet në shtetin e Francës për shërim, së bashku me bashkëshorten.
“Sipas informacioneve që i kam, ka shku për një kohë të gjatë, nuk e di kur do të kthehet” – u shpreh ai para trupit gjykues.
Të njëjtit i ishte caktuar masa e paraqitjes në stacion policor në 30 gusht të vitit 2018.
Përveç të akuzuarit, në seancën e sotme munguan prokurorja e rastit dhe dëshmitarët Sami dhe Ilir Sekiraqa.
Kryesuesi i trupit gjykues Gëzim Ademi njoftoi se ndaj të pandehurit Gëzim Braholli do të kërkohet verifikim i adresës dhe vendqëndrimit, dhe në rast se verifikohet se i njëjti gjendet jashtë shtetit, do të kërkohet urdhër-arrest.
E njëjta kërkesë për verifikim të vendqëndrimit ose adresës do të bëhet për dëshmitarët Sami dhe Ilir Sekiraqa.
Me aktvendim, kryesuesi Ademi shtyu seancën për një kohë të pacaktuar.
Sipas dosjes së prokurorisë të vitit 2018, i akuzuari Braholli së bashku me tani të gjykuarin Albnor Braholli në fund të dhjetorit të vitit 2012, me një veturë të tipit Audi A3 kanë shkuar të shtëpia e të gjykuarit Ilir Sekiraqa dhe babit të tij Sami Sekiraqa, pasi Albnor Braholli e kishte pasur një fjalosje me Ilir Sekiraqën.
“Posa kanë shkuar të shtëpia e familjes Sekiraqa, kanë filluar të shtijën me armë në drejtim të tyre ku kanë mbetur me lëndime të rënda trupore Ilir dhe Sami Sekiraqa, të dy në këmbët e majta, si pasojë e të shtënave”- përshkruhet në dosje.
Përveç vrasjes së rëndë në tentativë, Gëzim Braholli ngarkohet edhe me veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve.
Lidhur me akuzat që e rëndonin, i akuzuari nuk i kishte pranuar në deklaratën e tij të dhënë në prokurori në tëtor të 2018, por nuk e kishte mohuar prezencën në vendin e ngjarjes.
Provat të cilat prokuroria ka kërkuar nga gjykata t’i administrojë lidhur me këtë rast janë; Raporti i Eksertizës për armët, Ekspertiza mjeko-ligjore për Sami Sekiraqën, me mendimin shtesë për Ilir Sekiraqën, Raporti i Këqyrjes së vendit të ngjarjes, lista e dëshmive dhe foto-album nga Njësia e Forenzikës.
Albnor Braholli dhe Ilir Sekiraqa sipas dosjes së prokurorisë janë gjykuar sipas aktakuzës nga ana e gjykatës, dhe nga provat e paraqitura është vërtetuar se të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore.