Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen e policit të Kosovës dhe policit të UNMIK-ut, refuzojnë të deklarohen të akuzuarit Bedri Krasniqi e Alban Dezdari

Bedri Krasniqi dhe Alban Dezdari, të cilët akuzohen për vrasjen e një polici të Kosovës dhe të një polici të misionit të OKB-së në Kosovë  (UNMIK), në seancën e sotme kanë refuzuar të deklarohen me arsyetimin se e kanë humbur besimin në gjykim të drejtë.

Në seancën e sotme në Gjykatën e Prishtinës  u diskutua rreth dëgjimit të një prej dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, Shkumbin Mehmeti.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Bedri Krasniqi ka thënë se nuk do të mbrohet në heshtje, por refuzon të deklarohet.

Përpara trupit gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Arben Hoti- kryetar, dhe Mentor Bajraktari dhe Valon Kurtaj – anëtarë, ai u shpreh se atij i ka humbur shpresa se Gjykata do t’i sjellë drejtësi.

“Me keqardhje them se nuk pres drejtësi. Nuk e kam pasur forcën të rrëzoj dëshminë e Shkumbin Mehmetit sepse aparati shtetëror është pas Prokurorisë e jo pas meje, kjo është arsyeja pse nuk do të deklarohem” – u shpreh ai.

Ai shtoi se ai ka pasë dëshirë të deklarohet, por pas pranimit të deklarates së Shkumbin Mehmetit refuzon që të mbrohet.

“Nuk kam më vullnet, e them me keqardhje” –  ishin fjalët e tij. “Sa herë vij në gjyq, këmbët e mija janë të gjakosura”.

Ndërsa i akuzuari tjetër, Alban Dezdari, u deklarua ngjashëm me parafolësin.

“Refuzoj të deklarohem sepse është duke m’u bërë padrejtësi e madhe. Kërkoj që të ma sillni Shkumbin Mehmetin që të ballafaqohemi drejtpërdrejt. Pasi që të ballafaqohem me të atëherë jam i gatshëm ta jap deklaratën time” – tha ai.

Pasi që Prokuroria (e përfaqësuar nga prokurorja Habibe Salihu) kishte arsyetuar secilën provë veçmas sipas kërkesës së avokatit të Alban Dezdarit në seancën e kaluar, Florent Latifaj, i njëjti në seancën e sotme ka deklaruar se i kundërshton disa prej provave të propozuara nga Prokuroria.

Trupi gjykues pasi u konsultua mori aktvendim me të cilin u refuzua propozimi i Prokurorisë për leximin e deklaratës së dëshmitarit B.M. dhe të dëshmitarit M.M. me arsyetimin se të njëjtit në këtë shqyrtim gjyqësor kanë dhënë dëshmi para gjykatës në këtë shqyrtim gjyqësor dhe se Prokuroria ka pasur mundësi të ballafaqimit të deklaratës së dhënë në procedurë tjetër.

Kurse e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për t’u lexuar deklaratat e dëshmitarëve R.Z. si dhe Sh.M.

Lidhur me këtë avokati Florent Latifaj ka kërkuar që aktvendimi i tillë të merret me shkrim, në mënyrë që mbrojtja ta ketë mundësinë e ankimimit në Apel.

Këtë kërkesë trupi gjykues e ka refuzuar.

Në lidhje me propozimin e Latifajt që Shkumbin Mehmeti të ftohet në seancën e radhës për të sqaruar rreth një shkrese që i njëjti ia kishte dorëzuat Gjykatës, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin i aprovoi avokatit propozimin.

Këtë vendim e arsyetoi me faktin se trupi gjykues e sheh si të nevojshëm deklarimin e tij në mënyrë që të vërtetohet autenticiteti i deklarimeve që ai i ka dhënë.

Sipas trupit gjykues në deklarimin e Mehmetit përmes shkresës dhe deklarimit në seancë gjyqësore ka disa aspekte të cilat dallojnë, e për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje është e nevojshme që i njëjti të ftohet përsëri.

Lidhur me këtë u caktua seanca e radhës, e cila do të mbahet më 15 maj.

Të akuzuar të tjerë për vrasjen e policit të Kosovës dhe të policit të UNMIK-ut kanë qenë edhe Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, por pas marrjes së aktvendimit nga Gjykata Supreme në shtator 2017, të njëjtit ishin liruar pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim më 9 nëntor 2007.

Kundër të akuzuarve Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, Prokuroria e EULEX-it më 21 korrik 2017 kishte ngritur aktakuzë për shkak të kryerjes së veprave penale – vrasje e rëndë dhe vrasje në tentativë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, P.E., dhe zyrtarin policor të Kosovës, A. R., të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës B. M. dhe përkthyesi i UNMIK-ut R. Z., kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.