Foto: KALLXO.com
Dosja e Prokurorisë për rastin e rrahjes masive dhe tentim-vrasjen në Mamushë
Prokuroria e Prizrenit të hënën ka kërkuar paraburgim për të dyshuarit lidhur me rastin e rrahjes dhe vrasjes në tentativë në një pompë derivatesh.
10 persona janë përfshirë në një rrahje në Mamushë, ku një 23-vjeçar mbrëmjen e së shtunës është plagosur me armë zjarri.
Sipas Prokurorisë, gjatë rrahjes janë përdorur armë zjarri dhe mjete të tjera të forta.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi mes të pandehuirt A.B.1 dhe F.M, përfshihen në rrahje një numër i madh personash nga të dy palët dhe gjatë përleshjes A.B.1 dhe A.B.2 të armatosur gjuajnë me armë mbi turmë, ku një predhë e godet në këmbë personin I.B.
Me këtë të dyshuarit kishin për të kryer veprën penale – vrasje e rëndë.
Në kërkesë tutje thuhet se A.B.2 po ashtu në të njëtën ditë posedon armë zjarri pa leje të organit kompetent.
Me këto veprime A.B.2 kishte për të kryer veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Të pandehurit F.M., Sh.M., L.M., A.M. dhe I.B. në datë dhe kohë të njëjtë me dashje përfshihen në rrahje në të cilën marrin pjesë një numër i madh personash nga të dy palët dhe si rezultat i përleshjes J.B. pëson lëndime të lehta trupore kurse I.B. përfundon me lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime kishin për të kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.
Kurse i pandehuri J.B. në datë dhe kohë të njëjtë me qëllim që t’i shkaktojë lëndime trupore personave të tjerë merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor. Sipas Prokurorisë, i dyshuari përdor mjetin e rrezikshëm-shufër metalike që është e përshtatshme për të shkaktuar lëndime rë rënda trupore ose për të dëmtuar shëndetin.
Tutje thuhet se pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi në mes të pandehurve A.B.1 dhe F.M me dashje përfshihet në rrahje dhe gjatë rrahjes Sh.M. dhe L.M. pësojnë lëndime të lehta trupore kurse I.B. përfundon me lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer veprën penale – pjesëmarrja në rrahje.
Prokuroria ka vlerësuar se nga provat që janë siguruar janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit.
Petrit Kryeziu, prokuror i çështjes, ka konsideruar se të dyshuarit kanë vepruar në grup me dashje, ku janë kyçur në rrahje e në tentim-vrasje të rëndë. Të njëjtit kanë përdorur edhe mjete të rrezikshme siç janë armët e zjarrit dhe shufra hekuri, rrethana të cilat sipas Prokurorisë tregojnë se të pandehurit do ta pengojnë rrjedhën e procedurës duke ndikuar në dëshmitarë, të dëmtuar dhe bashkë të pandehur.
Prokuroria më tej ka cekur se bazuar në rrethanat e rastit caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdodshëm dhe i arsyeshëm.
Kryeziu më tej ka deklaruar se nga data-baza policore rezulton se edhe më parë të dyshuarit janë ndeshur me ligjin.
“A.M. ka shtatë vepra penale, S.M. gjashtë vepra penale, J.B.-gjashtë vepra dhe A.B. pesë vepra penale. Kjo gjendje faktike vërteton se tek të pandehurit asnjehërë nuk është arritur njëri ndër qëllimet e dënimit e që është risocializimi, por ata sërish në mënyrë të vazhdueshme kanë kryer vepra penale sikurse u përshkrua më lartë”-tha mes tjerash prokurori Kryeziu.
Paraburgimin e kundërshtuan të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre avokatë Florent Latifaj, Kushtrim Muçaj, Faik Miftari, Berhil Shasivari dhe Hasan Biraj.
Mbrojtësit dhe të pandehurit në seancë propozuan masa të tjera alternative siç janë arresti shtëpiak apo paraqitja në stacion policor.
Lidhur me këtë, gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha, pritet të marrë vendim.