Dosja e Prokurorisë për rrëmbimin e shtetasve maqedonas, policët ju grabitën euro, franga e dinarë

Dy zyrtarë policor, V.K., dhe B.N., një punëtor i RTK-së F. S.,  dhe dy persona të tjerë, V. K., njëri nga ta grua – M. I., janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se të njëjtit kishin rrëmbyer dy shtetas maqedonas dhe nga ta kishin kërkuar para.

Dosja e Prokurorisë në Gjilan, përshkruan në detaje ngjarjen në të cilën u përfshinë edhe zyrtarët policor.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e cila tregon se të rrëmbyerit madje edhe ishin kërcënuar me armë nga zyrtarët policor, se nëse lëviznin, të njëjtit do të qëlloheshin me plumba.

“Nga data 16.02.2021 nga ora 22:00 gjerë më datë 17.02.2021 në ora 14:00, të dëmtuarit nën presion / kërcenim të armëve nga të pandehurit i kanë zhveshur të dëmtuarit, prangosur me pranga të plastikës duke ua plasuar videon familjarëve të të dëmtuarve, bashkërisht në koordinim me të pandehurit, rolet dhe detyrat e tyre në raport me të pandehurën, gruan, se si të veprojë, josh të dëmtuarin me qëllim përfitimi material, ashtu që të pandehurit ua kanë marrë të dëmtuarve portofolat, ku njërit prej të dëmtuarve ia kanë marrë 100 euro, 100 franga dhe 4,000 dinarë të Rep. së Maqedonisë”, thuhet në kërkesën për paraburgim ndaj pesë të pandehurve.

Njërit prej të rrëmbyerve sipas prokurorisë i janë marrë 40 euro, derisa i njëjti ka qenë i prangosur, nën kërcënim të armës.

“Të njëjtit gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë të mbyllur, duart e prangosura, të kërcënuar, duke i goditur me shuplaka dhe kondak të revoles në kokë, të dëmtuarit kanë përjetuar shqetësim dhe ankth dhe bërë jetën të pa sigurt nën kërcenim të armëve, ashtu që pas intervenimit të zyrtarëve policor në Gjilan, të pandehurit identifikohen dhe arrestohen”, thuhet tutje në kërkesën për paraburgim të siguruar nga KALLXO.com.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se pesë të dyshuarit e arrestuar për rrëmbimin e shtetasve maqedonas, kanë edhe vepra të tjera kriminale në të kaluarën