Lokali ku dyshohet se u helmuan qytetarët në Malishevë. Foto: AUV

Helmimi i qytetarëve në Malishevë, AUV tregon cilat baktere u gjetën në ushqime

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se për rastin e helmimit në Malishevë kanë izoluar baktere në disa lloje të produkteve.

Në bazë të një hulumtimi epidemiologjik, AUV-i ka renditur se cilat baktere u gjetën në ushqime.

“Në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet Epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis e cila është izoluar në mostra të ushqimit dhe në mostra humane. Në mostra të ushqimit, të strishove të ambientit dhe sipërfaqeve punuese janë izoluar: Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Siç vijon: Majonez i prodhimit vetanak (LUSH 2-3133) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Mish doneri termikisht i përpunuar (LUSH 2-3134) – Salmonella enteritidis. Qofte të ngrira (LUSH 2-3135) – Listeria monocytogenes, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Pleskavicë e ngrirë (LUSH 2- 3136) – Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, bakteret koliforme dhe mezofile. Dhe Sos me hudër (LUSH 2—3137) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile”- thuhet në njoftim.

Më tej, AUV njofton se sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, deri më 19 tetor 2023, për shkak të përmirësimit të gjendjes shëndetësore shumica e rasteve të hospitalizuara janë liruar në shtëpi, dhe vetëm tetë prej tyre vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, por me gjendje stabile shëndetësore.

“Rezultatet e mostrave të ujit i përgjigjen standardeve të kërkuara sipas UA të ujit për konsum human. Andaj si shkak si shkak zbatuar kontrolli i rreziqeve të sigurisë ushqimore dhe zbatimi i praktikave higjienike në të gjithë linjën e prodhimit të ushqimit. Sipas të dhënave nga IKSHPK deri me datë 19 tetor 2023, për shkak të përmirësimit të gjendjes shëndetësore shumica e rasteve të hospitalizuara janë liruar në shtëpi, dhe vetëm tetë prej tyre vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, por me gjendje stabile shëndetësore. AUV bashkë me mekanizmat e tjerë shtetërorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara ligjore në kohë. Për ndihmë-shërim të të helmuarve dhe gjetjen e shkaktarit”- theksohet në njoftim.

AUV-i thotë se inspektorët sanitarë prej të gjithë pacientëve të hospitalizuar është marrë materiali për koprokulturë dhe gjithashtu janë marrë pesë mostra të ushqimit nga lokali në fjalë dhe 25 mostra nga sipërfaqet e punës të cilat inspektorët i kanë dërguar për ekzaminim mikrobiologjik.

“Inspektorët Sanitarë të AUV-së fillimisht kanë mbyllur menjëherë subjektin dhe bashkë me Ekipet e IKSHPK e QRSHP Prizren dhe policinë kanë bërë inspektimin. Prej të gjithë pacientëve të hospitalizuar është marrë materiali për koprokulturë. Janë marrë pesë (5) mostra të ushqimit nga lokali në fjalë dhe 25 mostra nga sipërfaqet e punës të cilat inspektorët i kanë dërguar për ekzaminim mikrobiologjik. Po ashtu janë marrë mostra të ujit në tri pika mostrimi, afër vendit të shpërthimit. Është bërë hulumtimi dhe gjurmim epidemiologjik i rasteve”- shpjegon AUV-i.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 64 kilogramë produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan mbi 200 qytetarë në Malishevë.

Si pasojë e helmimit, AUV-i kishte mbyllur lokalin në fjalë.

AUV asgjëson mbi 60 kg produkte mishi në lokalin ku dyshohet se u helmuan qytetarët në Malishevë