Vëllau i Liridona Ademajt: Besojmë në drejtësi të Kosovës

Vëllau i Liridona Ademajt, Leonardi, ka folur para gazetarëve pas përfundimit të seancës ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt.

Leonard Ademaj tha se familja e tij beson në drejtësinë e Kosovës dhe se këtë çështje e kanë lënë në duar të drejtësisë.

“Ne gjithçka çka kemi, ia lojmë drejtësisë, besojmë në drejtësi të Kosovës. Me fëmijët kemi pasur kontakt, sepse ka ardhur edhe shoqata sociale, thanë që fëmija janë mirë. Kujdesin e tyre e kanë gjyshja dhe gjyshi. Janë ardhë na kanë pyetur se qysh po mendoni për fëmijët, por te ne gjendja është katastrofale, janë shumë të mërzitur. Fëmijët ende nuk e kanë kuptuar që nëna ka vdekur, edhe me ardhë te ne e kanë të lehtë me e kuptu se çka është duke ndodhur” – tha ai para gazetarëve.

Ai ka thënë se i dyshuari Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, ka thënë se Liridona ka insistuar në një çantë, në momentin kur sipas tij, grabitësit kanë ndalur makinën e tyre.

“Unë i kam nxjerrë telefonin e sendet tjera prej xhepit, i kam thënë Liridonës jepja krejt. Liridona insistojke diçka në çantë, unë i qela dyert iu thashë ikni suedisht fëmijëve” – ka thënë Leonard Ademaj, duke cituar Naim Murselin.

Në anën tjetër, ka përfunduar seanca dëgjimore ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarve të tjerë, për vrasjen e Liridona Murselit.

Seanca dëgjimore është mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa gjykata tash pritet të marrë vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Liridona Murseli, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se i dyshuar i tretë në këtë rast është edhe K.K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Përfundon seanca ndaj Naim Murselit dhe dy të tjerëve, Gjykata pritet të marrë vendimin për caktimin e paraburgimit