Ilustrim: KALLXO.com

(DOKUMENT) Kush u dha para partive politike dhe si i shpenzuan ato?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2021.

Legjislacioni në Kosovë obligon partitë politike që të mbajnë shënime të sakta për çdo shpenzim dhe të njëjtat t’i raportojnë pranë departamentit të veçantë në KQZ.

Deklarimi i shpenzimeve nga partitë politike shpesh u kritikua në Kosovë.

Madje, në raporte të veçanta, Komisioni Evropian kritikoi subjektet politike kosovare për mos transparencë.

Nga raportet e paaudituara vërehet se partitë politike në vend pranuan donacione qindra-mijëra euro, derisa ka parti parlamentare që nuk kanë deklaruar ndonjë donacion të pranuar.

Kështu, partia më e madhe në vend, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se ka pranuar donacione dhe kontribute në të holla në shumën e përgjithshme prej 65 mijë e 140 euro.

Partia e dytë më e madhe në vend, Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se ka pranuar donacione në vlerë prej 31 mijë e 349 euro.

Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar se ka pranuar donacione dhe kontribute në të holla vetëm 2 mijë e 250 euro.

Ndërsa, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka deklaruar ndonjë donacion, në raportet e publikuara nga KQZ.

As Lista Serbe nuk ka deklaruar ndonjë donacion të marrë për vitin 2021.

KQZ ka sqaruar se publikimi i këtyre raporteve është bërë pa u audituar.

“Duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues: “Këto raporte financiare janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit”” – thuhet në njoftim.

Pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorët e jashtëm, raportet e audituara do të publikohen në të njëjtën hapësirë në ueb faqen e KQZ-së.

Këtu mund t’i gjeni raportet financiare të partive politike të deklaruara në KQZ.