(DOKUMENT) Kryeshefi i shkarkuar i "Trepçës" bën kallëzim penal ndaj ministres Rozeta Hajdari dhe bordit

Ish- kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi, ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ministres në detyrë, Rozeta Hajdari dhe anëtarëve të bordit që e shkarkuan.

Në kallëzimin penal që e ka siguruar KALLXO.com, Ibrahimi pretendon se ministrja Hajdari dhe anëtarët e bordit kanë kryer dy vepra penale, të cilat sipas tij janë, “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës”.

Ai pretendon se gjatë shkarkimit të tij ishin prezentë vetëm katër anëtarë të bordit, pasi që sipas tij në statutin e “Trepçës” parashihet që në një mbledhje të jenë prezentë së paku 5 anëtarë të bordit mbikëqyrës.

Gjithashtu, sipas Ibrahimit, ai është shkarkuar nga ata pa prezantuar asnjë arsye ligjore lidhur me mospërmbushje të detyrës, shkelje të ligjit apo vlerësim të performancës.

“Shkarkimi i këtij bordi është bërë me të vetmin qellim, emërimin e bordit të ri( aktual) me persona të dëgjueshëm të ministres Hajdari, për realizimin e interesave të paracaktuara, ku një gjë e tillë u dëshmua me veprimet e fundit, kundërligjore të këtij bordi përmes të cilave nën presionin e ministres anëtarët e këtij bordi edhe kanë vendosur që kundërligjshem të ndërpresin kontratën time të punës nga pozita e kryeshefit ekzekutiv”, thuhet në kallëzimin penal.

Më 15 prill, bordi i përkohshëm mbikëqyrës i drejtorëve në “Trepçë” ka shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi.