Shkarkohet kryeshefi i “Trepçës”, Basri Ibrahimi

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë” ka shkarkuar kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Ibrahimi.

“Po, tash e mora edhe unë informatën. Fshesa vazhdon, shkarkimet politike vazhdojnë me direktiva të politikës”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se arsyet të cilat i janë thënë kanë të bëjnë me pagat e punëtorëve, të cilat janë vonuar në muajin e fundit.

“Arsyet që i kanë thënë kanë qenë për shkak të, gjoja si kam kry punët e mia si duhet dhe për shkak që si kanë marrë rrogat punëtoret, ju e dini që me çmimet që kanë ra në treg, ka qenë problem. Kërkesat politike  nga ministria kanë qenë. Ne sot kemi pas me i marr subvencionet, që një javë janë tu më thirrë dhe sot kur ka pas me u egzekutu më në fund, ministrja, apo kabineti i saj, e ka kërku me u kthy prapa”, tha ai.

Në vendimin të cilin e ka siguruar KALLXO.com thuhet se një kërkesë për shkarkimin e Ibrahimit e kishte edhe këshilli organizativ i protestës.

“Në bazë të analizës së punës së deritanishme të KE, dhe duke u mbështetur në kërkesat e punëtorëve, Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në mënyrë unanime mori vendim, shkarkohet nga detyra e Kryeshefit Ekzekutiv të “Trepça” z. Basri Ibrahimi”, thuhet në vendim.

Sot gjatë ditës, KALLXO.com raportoi për protestën e minatorëve të “Trepçës”.

Minatorët e Trepçës ndalin punën, nuk kanë marrë ende pagat

Pas shkrimit të kryeshefit ekzekutiv ka reaguar edhe këshilli protestues.

Arsim Musa ka konfirmuar për KALLXO.com se kërkesa e tyre për shkarkimin e Basri Ibrahimit, është plotësuar.

“Ne si këshill protestues në lidhje me punësime në Trepçë na u plotësu edhe një kërkesë u bë shkarkimi i menaxherit të Trepçës pas protestës një muajshe në si këshill kemi pas 3 kërkesa: Shkarkimi i bordit, shkarkimi i menaxhementit dhe konkursi të bije në piken zero”, tha ai.

KALLXO.com ka raportuar për shkeljet në konkursin e fundit në “Trepçë”.

Katër persona ishin shfaqur në listat përfundimtare që i ka publikuar ndërmarrja Trepça nga konkursi i 24 shtatorit por të njëjtit nuk kanë figuruar në listat e rezultatit të testit me shkrim.

Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” i transmetuar të në fund të muajit shkurt zbuloi se tre prej tyre janë punësuar në Flotacionin Tuneli i Parë ndërsa një tjetër në Minierën e Artanës.

Kryeshefi ekzekutiv i Trepçës, Basri Ibrahimi, kishte thënë se këto mund të jenë gabime teknike, të cilat do të përmirësohen.

“Nëse kanë apliku dhe pastaj kanë mujtë me u përvishë edhe me dal emra të caktuar, jo me dal si përfitues, ai sigurisht që nuk do të del, por që me dal me u përvjedhë në listë, kjo mund të jetë sepse janë kanë 1 mijë e 700 vetë që kanë apliku”, ishte shpreh ai.

Ndaj konkursit i cili është shpallur vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme, kanë protestuar për 10 ditë radhazi banoret e rajonit të Shalës së Bajgorës.

Protestuesit kanë thënë se nuk do të ndalin protestën deri në plotësimin e kërkesave që janë, anulimi i konkursit të 24 shtatorit dhe shkarkimi i menaxhmetit në Trepçë.

Përveç kësaj, hulumtimi zbulon edhe lidhjet familjare të dy anëtarëve të Bordit Mbikëqyrës të cilëve u janë punësuar familjaret në konkursin i cili u shpall më 24 shtator të vitit të kaluar, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të parakohshme.

Pas ankesave të protestuesve, Krimet Ekonomike nga Policia e Kosovës kanë filluar të hetojnë konkursin.

Pas raportimit të KALLXO.com, Qeveria e Kosovës kishte shkarkuar Bordin Mbiqkqyrës të Trepçës.

Rozata Hadari, ministre e Ekonomisë kishte propozuar shkarkimin e gjashtë drejtorëve të emëruar nga qeveria e kaluar, sepse sipas saj ata kanë shkelur detyrat fiduciare.

“Unë i propozoj qeverisë që të shkarkojnë drejtorët, këtë propozim e jap duke u mbështetur në Kushtetutë, Ligjin për Ndërmarrje Publike si dhe Ligjin për Trepçën. Në rastin e Trepçës tërësia e rrethanave rreth menaxhimit të pa lujtshmërive dhe punësimit jep arsye për të besuar se bordi mbikëqyrës ka lejuar veprime që bien ndesh me interesin e ndërmarrjes”, kishte deklaruar ajo.

Më 4 prill qeveria Haradinaj emëroi gjashtë anëtarët e bordit mbikëqyrës që u emëruan nga qeveria Haradinaj janë: Esat Peci, Ardian Syla, Feriz Fetahu, Naser Peci, Xhafer Nuli, Shyqiri Sadiku.

KALLXO.com ka raportuar se ky emërim ishte i kundërligjshëm.

Krimet ekonomike nisin hetimet për konkursin në Trepçë