Foto: Dogana e Kosovës

Dogana parandalon kontrabandimin e barnave, preparateve kimike dhe telefonave

Njësitë anti-kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë kryer kontrolle të detajuara të udhëtarëve dhe mjeteve motorike në hyrje të Kosovës në pikën kufitare në Merdarë.

Sipas njoftimit, operacioni ka çuar në zbulimin dhe parandalimin e tri rasteve të tentativave për kontrabandë.

Në rastin e parë është zbuluar një sasi e konsiderueshme e barnave dhe steroidëve të padeklaruar.

“Mallrat identifikuar janë përfshirë në mbi 600 paketime të llojeve të ndryshme. Procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj personit përgjegjës dhe mallrat janë konfiskuar, duke ndaluar tentativën e kontrabandimit të këtyre substancave të rrezikshme”- thuhet në njoftim.

Ndërsa thuhet se operacioni ka vazhduar me zbulimin e sasisë së preparateve kimike për dysheme, që arrijnë një peshë prej rreth 35 kilogramë.

“Mallrat janë konfiskuar dhe është nisur procedura kundërvajtëse për personin përgjegjës”- ka njoftuar Dogana e Kosovës.

Ndërsa në rastin e tretë është zbuluar tentativa për kontrabandimin e 10 telefonave të markës iPhone Pro Max 13 dhe 12.

Në njoftim thuhet se këto mallra janë konfiskuar, duke parandaluar tentativën e paligjshme për t’u futur në territorin e Kosovës.