Ilustrim

Dilemat për publikimin e informacioneve të hakuara nga iranianët

Një vijë e hollë e ndan interesin e publikut nga privatësia dhe sekretet shetërore.

Një listë e gjatë me dokumente sensitive të autoriteteve shqiptare, e nxjerrë në rrjetin Telegram nga një grup hakerësh, ngjalli debatin nëse mediat duhet të publikojnë materiale të tilla.

Në Shqipëri pati një vendim nga Prokuroria që publikimet të ndaloheshin mirëpo gazetarët alarmuan se kjo mund të jetë shkelje e parimeve të lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.

Vendimi i autoriteteve të Shqipërisë u injorua nga gazetarët profesionistë, të cilët vendosën t’i redaktonin materialet dhe t’i publikonin ato që ishin në interes të publikut.

Më 7 shtator, Shqipëria zyrtarisht ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit. Shkak ishte një sulm kibernetik, i cili dyshohet se ndodhi nga hakerët iranianë mbi sistemet elektronike në Shqipëri.

Më 19 shtator, mediat në Shqipëri publikuan një lajm, i cili pretendonte se gjatë vitit 2021, një atentat ishte planifikuar ndaj kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Ismet Haxha.

Lajmin e konfirmoi edhe Qeveria e Kosovës.

Julian Kasapi është gazetar në “A2 CNN” në Shqipëri, media e cila e publikoi e para lajmin për atentatin që pretendohet se u planifikua ndaj Kurtit.

Ai thotë  se informacionet e para i morën në rrjetin social Telegram dhe të njëjtat i kaluan në një filtër editorial.

“Iranianët publikuan në faqen e tyre në Telegram të gjithë korrespondencën elektronike të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit. Na u desh pak kohë që të kuptonim se nuk bëhej fjalë për këtë kohë, pra bëhej fjalë për kohën kur ai drejtonte Drejtorinë e Anti-Terrorit në Shqipëri” – thotë Kasapi.

Në mesin e informacioneve të publikuara ishte edhe lajmi se dikush po planifikonte vrasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit. 

Sipas tij, fillimisht ishte e vështirë të identifikohet se për cilin vit bëhej fjalë, sepse në materialet e publikuara nga iranianët nuk cekej viti për atentatin e mundshëm.

“Ne bëmë disa verifikime dhe arritëm të merrnim vesh se bëhej fjalë për vitin 2021 dhe menjëherë materiali u publikua ndërkohë që interesoheshim për personin Prekë Kodra, njeriun e dyshuar. Kemi kuptuar jozyrtarisht që Policia ka pasur vetëm kontrolle në banesën e tij në vitin 2021, ku janë gjetur municione luftarake dhe disa sende të dyshimta por personi në fjalë nuk është gjetur” – tha Kasapi.

Sipas gazetarit Kasapi, njoftimi i Prokurorisë së Shtetit, i publikuar më 19 shtator, nuk u referohet mediave prandaj ata nuk i kanë fshirë lajmet që lidhen me informacionet e zbuluara nga iranianët.

“Fillimisht mbërriti një njoftim i Policisë së Shtetit dhe më pas një urdhër i Prokurorisë për ndalimin e publikimit të këtyre informacioneve. Lajmi nuk është hequr, është hequr vetëm pjesa e letrës, letra e Policisë kosovare por lajmi nuk është hequr. Ne diskutuam me ekspertët e fushës dhe ata thanë se neni 103 nuk ka subjekt gazetarët” – tha ai.

Edhe Gjergj Erebara nga BIRN Shqipëria tha se njoftimi nuk kishte bazë ligjore për t’iu drejtuar mediave. Sipas tij, ai vendim duhet të injorohet nga gazetarët dhe mediat.

“Urdhrin e Prokurorisë ne e konsiderojmë të pavlefshëm dhe nuk më drejtohet mua, nuk e di se kujt i drejtohet, por nuk i drejtohet medias sepse s’ka bazë ligjore që Prokuroria të urdhërojë median për diçka të tillë” – deklaroi ai.

“Ruajtja e sekretit hetimor i përket Prokurorisë dhe personave që kanë këtë sekret hetimor. Në rastin konkret kemi të bëjmë me gjëra që janë botërisht të ditura. Një urdhër prokurorie as nuk ua ndalon qarkullimin e tyre, as nuk ka mjete që t’i ndalojë këto publikime” – tha tutje ai.

Por, Erebara tha se gazetarët duhet të kenë kujdes kur përdorin informacionet që rrjedhin nga organet e sigurisë. Sipas tij, ata duhet të ndjekin vetëm interesin publik.

Por, si është e rregulluar kjo çështje në Kosovë? A mund media t’i publikojë informacionet të cilat konsiderohen sekrete shtetërore?

Faruk Rexhaj, zëvendësues i kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave, ka thënë se çështja e publikimit të materialeve të ndjeshme është e rregulluar me ligj. Sipas tij, mediat duhet të kenë kujdes kur vendosin t’i përdorin këto materiale.

“Në KPM është ligji dhe aktet nënligjore ku parashihen disa pjesë se çfarë mund të publikohet e çfarë jo. Kodi i Etikës thotë që materialet e ndjeshme që e cenojnë sigurinë e vendit ose krijojnë trazira ose diçka të ngjashme, është e ndaluar që të publikohen në media” –  deklaroi ai.

“Këtë e vlerësojnë ekspertët brenda KPM-së që e vlerësojnë një gjë të tillë. Së fundmi, ne kemi pezulluar transmetimin e kanaleve ruse në territorin e Kosovës. Media duhet të ketë kujdes në publikimin e një lajmi, sepse kemi të bëjmë me një shtet jomik” – tha tutje ai.

Në anën tjetër, redaktori menaxhues i KALLXO.com dhe anëtari i Këshillit të Mediava të Shkruara të Kosovës, Kreshnik Gashi, tha se mediat duhet të kujdesen që secili informacion që publikohet në radhë të parë të ketë interesin publik.

“Sot e kemi mbajtur një mbledhje në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe kemi diskutuar gjerë e gjatë për mënyrën se si duhet qasur problematikës së luftës hibride. Jemi duke jetuar në një kohë e cila ka ndryshuar në rrethana, në terren, në mënyrë të funksionimit se si po prodhohen dhe si po rrjedhin informacionet” – tha Gashi.

Sipas tij, për t’u përballur me situata të tilla si në Shqipëri, mediat duhet të ndërtojnë standarde se si t’i përdorin këto informacione – informacionet sekrete që rrjedhin nga institucionet e sigurisë.

“Gazetarët duhet të ndërtojnë standarde mbi të cilat i trajtojnë këto informacione, mbi të cilat i publikojnë dhe ripublikojnë këto informacione që rrjedhin prej institucioneve të sigurisë” – tha ai.

Gashi përmendi disa hapa që duhet të ndjekin mediat kur në dorën e tyre bien dokumente sekrete.

“E para është që publikimi duhet t’i shërbejë interesit të publikut. Jo gjithmonë nga materialet e rrjedhura ka të atilla që i shërbejnë interesit publik. Elementi tjetër është që duhet të diskutohet brenda redaksive për të dhënat personale, sepse ato mund të keqpërdoren. Elementi tjetër është që mediat duhet të vërtetojnë që ai dokument ekziston. Ka forma të ndryshme për t’i verifikuar. Rreziku është se hakerët mund t’i falsifikojnë për ta dezinformuar publikun” – deklaroi Kreshnik Gashi.

Ndërsa, sipas avokatit Arbër Jashari, kur informacionet sekrete zbulohen e të njëjtat publikohen nga mediat, përgjegjësia parasegjithash është e shtetit.

“Është vështirë gjithmonë të bëhet një balancim mes asaj çfarë është interes publik dhe çfarë e cenon siigurinë kombëtare, çka e cenon privatësinë e njerëzve e çka e cenon interesin e shtetit. Prandaj, mediat e kanë këtë përjegjësi. Unë mendoj që çfarëdo që ndodh, përgjegjësia në radhë të marë i takon shtetit. Sepse ne shtetit ia kemi siguruar edhe sigurinë” – thotë avokati Jashari.

“Urdhri i Prokurorisë është mirë që të sfidohet në ndonjë gjykatë”- tha ai.

Ish-kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Zekirija Shabani, tha se mediat nuk duhet të fajësohen për publikimin e materialeve që rrjedhin nga institucionet e sigurisë.

Sipas tij, mediat duhet të bëjnë përpjekje maksimale që t’i verifkojnë informaiconet por përgjegjsinë duhet ta mbajnë vetë institucionet e drejtësisë.

“Mua më habit Prokuroria që ende nuk e pyet veten se si është i lirë ai njeriu që ka kryer vrasje, pse ky snajperisti është ende i lirë dhe u thonë mediave pse po i publikoni dosjet. Nuk është kjo problem i mediave, nëse i kanë publikuar ose jo, gjithëherë nëse mediat e kanë verifikuar atë dokument nëse është i saktë” – tha Shabani.