Seanca e gjykatës ndaj hakerëve të akuzuar, Foto: KALLXO.com

Dështon seanca gjyqësore ndaj grupit të hakerëve të akuzuar për falsifikim të çeqeve bankare

Në Gjykatën në Prishtinë ka filluar rishtazi gjykimi ndaj grupit të hakerëve, pasi që për tre muaj me radhë nuk është mbajtur asnjë shqyrtim gjyqësor në lidhje me këtë rast.

Por seanca  e paraparë të mbahet sot ka dështuar të mbahet, ndaj të grupit të hakerëve të cilët janë të akuzuar për falsifikim të çeqeve.

Arsyeja për mos mbajtjen e këtij shqyrtimi ishte mungesa e Valdrin Gerbeshit dhe Shkumbin Kadriut, pasi që sipas mbrojtësit të këtij të fundit i njëjti gjendet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike në QKUK.

Në këtë çështje penale nga prokuroria të akuzuar janë Driton Konushevci, Shkumbin Kadriu, Burim Murati, Edmond Gashi dhe Klodina Rrokata, Valton Isufi, Valdrin Gërbeshi, Artan Prebreza, Sadullah Behluli, Mimoza Beqiri, se në bashkëkryerje me dy të pandehurit në arrati Qëndrim Dobrunën dhe Edona Bajramin, kanë formuar grupin e organizuar kriminal.

Sipas prokurorisë ky grup ishte formuar me qëllim të fitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme.

Gjithnjë sipas aktakuzës, grupi i organizuar në bashkëkryerje me hakerë të panjohur kanë falsifikuar çeqet bankare dhe kanë hyrë në sistemet kompjuterike bankare nëpër shtete të ndryshme.

Aktakuza thotë se të pandehurit kanë arritur që duke hyrë në sistemet kompjuterike bankare të falsifikojnë kartelat bankare dhe në agjensionin financiar Western-Union të tërhiqnin para në shumë prej 198 mijë e 454 euro.

Po ashtu aktakuza ngarkon të akuzuarit edhe me veprat penale si shpëlarje parash, lëshimin e çeqeve të rreme, posedim të narkotikëve, armëmbajtje pa leje.

Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më datë 12 dhjetor të këtij viti.