Kreshnik Gashi

Gashi rrëfen si i liroi Kosova 20 hakerë bankash

Kreshnik Gashi, kryeredaktor i KALLXO.com ka treguar për ngecjet e sistemit të drejtësisë në Kosovë për t’i luftuar dhe dënuar kryerësit e krimeve kibernetike ku në mesin këtyre ngecjeve ai ka rrëfyer se si Kosova i ka liruar 20 hakerë bankash.

Këtë ai e ka përmendur në emisionin “Kallxo Përnime” ku temë diskutimi ka qenë rrjedhja e informacioneve dhe gjendja me sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor dhe në botë.

Në këtë emision Gashi ka thënë se Kosova ka qenë një prej vendeve të sigurta ku hakerët mund të bëjnë probleme edhe të eksportojnë probleme në vendet e rajonit dhe në botë.

“Në Kosovë e kemi një grup të njerëzve të cilët kanë qenë të arrestuar për vjedhje bankare, kanë klonuar kartela bankare edhe kanë vjedhur shuma bukur të mëdha të parave në SHBA. Janë një grup prej mbi 20 personave të cilët kanë qenë të arrestuar në një operacion të hetuesve ndërkombëtarë” – ka shpjeguar Gashi.

Si një problem tjetër ai ka potencuar edhe të dhënat që tregojnë për dënimet jomeritore ndaj kryerësve të krimeve kibernetike.

“Krejt kjo punë, krejt ky hetim disamujor, është parashkruar në gjykatat tona dhe njerëzit janë liruar si të pafajshëm dhe pasuritë e tyre, pronat e tyre, resurset e tyre nuk janë bllokuar. Sot ata njerëz janë të pastër para ligjit dhe sot ata njerëz mund të hyjnë në punë edhe në Qeveri të Kosovës sepse e kanë dosjen e pastër” – është shprehur ai teksa ka thënë se në Kosovë është krijuar një zonë e cila u mundëson kryerësve të veprimeve antiligjore të hakimit që t’i shpëtojnë ndjekjes së ligjit.

“Të gjitha sulmet ose shumica e sulmeve në Kosovë të cilat kanë ndodhur kanë përfunduar pa hetime penale, pa u zbuluar se kush po i bën këto sulme” – ka shtuar Gashi.

Si ngecje të tjera ai ka përmendur edhe rastet kur dosjet e disa mediave që kanë qenë pre e sulmeve ende kanë mbetur pa u hetuar nga organet e drejtësisë si pasojë e mungesës së njohjeve të mirëfillta të sigurisë kibernetike.

“Kemi disa kompani disa media të cilat kanë raportuar që kanë qenë pre e sulmeve dhe sot dosjet e tyre kanë mbetur ende pa u hetuar në prokurori dhe në polici për shkak se neve na ka ndodhë që kemi pasur prokuror që ka hetuar krime kibernetike nuk e ka ditur dallimin mes USB-së dhe emailit”- ka rrëfyer Gashi.

Gjithashtu, ai ka potencuar se edhe metodat e komunikimit që përdoren nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë nuk janë të sigurta.

“Policia komunikon me telefon që nuk është pajisje e sigurtë. Policia komunikon përmes emailit pa pasur enkriptim, gjykata me prokurorinë edhe me policinë komunikojnë me emaila të thjeshtë të G-mailit ose të hapur të cilën munden me qenë në këtë punë” – është shprehur Gashi duke shtuar se Kosova gjendet në një situatë ku komunikimi është i brishtë dhe kapacitetet ende nuk janë të ndërtuara.

“Data bazat e institucioneve janë të hapura prej pajisjeve tjera, telefon ose kompjuterëve jashtë vendit. Pra kemi një situatë ku komunikimi është bukur i brishtë dhe ende kapacitete tona nuk janë të ndërtuara” – ka përfunduar ai.

Së fundmi Kosova dhe Shqipëria kanë qenë cak i sulmeve kibernetike.

Sulmet kibernetike në Shqipëri ishin bërë nga disa hakerë iranianë, ku në mesin e sajteve të hakuara ka qenë edhe sistemi TIMS i Shqipërisë.

Lidhur me sulmet kibernetike në Shqipëri, eksperti i sigurisë kibernetike në Shqipëri, Fabian Zhilla, në emisioni “Kallxo përnime” ka thënë se hakerët iranianë kanë arritur që të futen në databazat e rëndësishme të Shqipërisë dhe ka përmendur se cak i sulmeve kanë qenë edhe disa prej organeve shtetërore.