Dhuna ndaj të moshuarës në Pejë, ministrja e Drejtësisë kërkon thellim të hetimeve

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është e tronditur nga sulmi ndaj një të moshuare në një shtëpi të të moshuarve në Pejë.

Haxhiu ka thënë se hetimet duhet të thellohen teksa ka theksuar se ky nuk mund të jetë rasti i vetëm i abuzimit.

“Abuzimi që pamë sot, nuk mund të jetë i vetmi prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen” – ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ajo tutje ka bërë thirrje që menaxhmenti  të japë llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente.

Haxhiu ka shtuar se në këto momente institucionet përgjegjëse, Policia dhe Prokuroria, janë duke e bërë punën e tyre dhe disa nga personat e dyshuar janë arrestuar.

Lidhur me rastin, ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se  veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.

Ai ka bërë thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt.

Sot në rrjetin social Facebook është publikuar një video ku shihet një e moshuar duke u sulmuar.

Punëtoret që dyshohet se kanë qenë të përfshira në rastin ku është sulmuar fizikisht një e moshuar në një shtëpi të të moshuarve në Pejë janë përjashtuar nga puna.

Kështu ka thënë për KALLXO.com një punëtore e shtëpisë së të moshuarve “Oranda” ku dyshohet të ketë ndodhur rasti.

“Po janë përjashtu” – ka thënë punëtorja, e cila nuk ka pranuar të japë detaje të tjera lidhur me rastin.

Tutje ajo ka treguar se nga ora 19:00 në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” do të ketë konferencë për media.

Në lidhje me rastin deri më tani është konfiruar arrestimi i tre të dyshuarave.

Sulmi ndaj të moshuarës është thënë se ka ndodhur në një shtëpi të të moshuarve në Pejë.

Për këtë ngjarje, kryeprokurori i Pejës, ka angazhuar dy prokurorë të shtetit dhe ka autorizuar Policinë që të ndërmerren masat e nevojshme ligjore ndaj personave që kanë kryer këtë vepër penale.

Njëra nga të dyshuarat dyshohet se ka kryer veprën penale – sulmi, ndërsa tjetra veprën penale – ndihma në kryerjen e veprës penale sulmi.

“Dy persona të dyshuar me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar për 48 orë, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi” dhe veprën penale “ndihma në kryerjen e veprës penale Sulmi”” – thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, Policia tha se më të marrë informatë menjëherë ёshtё vёnё në veprim dhe rreth orës 14:10 ka identifikuar lokacionin dhe ka arrestuar dy tё dyshuarat.