Foto: Ilustrim

Detajet e policisë për të dyshuarin për fajde

KALLXO.com mëngjesin e sotëm ka raportuar për një person të arrestuar nën dyshimet për fajde dhe detyrim.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore dhe si rezultat i provave materiale dhe dëshmive relevante, sot në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë kompetente, ka realizuar operacionin policor mbi dyshimin e bazuar se disa persona janë përfshirë në veprën penale “Fajde”.

“Referuar hetimeve të zhvilluara dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Pejë, në proces janë aplikuar masat e fshehta teknike, ku gjatë monitorimit të këtyre masave janë siguruar informacione se personi B. U., 58 vjeçar, nga rajoni i Pejës, tanimë i arrestuar, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Fajde”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, i njëjti dyshohet se për veprën penale në fjalë ka përfituar shuma të larta parash nga persona të ndryshëm duke aplikuar përqindje të larta interesi, përderisa gjatë verifikimit ka rezultuar se është recidivist i kryerjes së veprave të ndryshme penale.

“Nën mbështetjen e Njësisë Speciale Operative, sipas Urdhëresës së Gjykatës është kryer bastisje në pronën gjegjësisht shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të dyshuar. Me vendim të prokurorit kompetent personi i dyshuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com mëson se B.U., kishte ushtruar presion ndaj një personi për kthimin e kamatës së fajdes që kishte marrë.

Nga gjithë këto presione viktima dyshohet se kishte kryet vetëvrasje.

Sipas dosjes që ka siguruar KALLXO.com B.U., dyshohet se i kishte dhënë fajde 8 mijë e 500 euro viktimës ndërsa ky i fundit duhet t’i kthente të dyshuarit shumën prej 43 mijë eurove.

Sipas dosjes fillimisht B.U., dyshohet se kishte bashkëpunuar edhe me dy persona të tjerë por pas aplikimit të masave të fshehta policia ka konfirmuar se në këtë vepër penale është i përfshirë vetëm B.U.